Qetësi, punon parlamenti! Rezistenca në Sarajevë sapo ka filluar

Deri në fund të muajit, mijëra boshnjakë për çdo ditë, do të pinë kafenë e tyre para Parlamentit të Bosnjës. Ata, që nga 5 qershori kur për herë të parë rreth 2,000 vetë rrethuan ndërtesën e Parlamentit duke bllokuar brenda rreth 1,500 persona, kërkojnë që deputetët e tyre ta kryejnë punën duke miratuar Ligj të ri i cili do ta zgjidhte problemin me identifikimin e të sapolindurve.

Ligji në bazë të së cilit kërkoheshin numrat e identifikimit skadoi në shkurt të këtij viti, duke lënë mijëra foshnje të pa-dokumentuara të lindura pas kësaj periudhe.

Në fakt, protestat  u iniciuan nga rasti i Belmina Ibrisheviç, foshnjë tre muajshe që nuk kishte të drejtë të udhëtonte në Gjermani për të bërë një transplant qelize sepse prindërit e saj nuk ishin në gjendje t’i gjenin asaj një pasaportë.

“Fatkeqësisht nga  12-ti i muajit  shkurt i nuk lëshohen më numra amzë, sepse Ligji për numrat amzë është shpallur antikushtetues nga ana e Gjykatës Kushtetuese, më  27.05.2011. Në fakt ai duhet të ndryshohet në nenin 5 të tij ku bëhet fjalë për emërtimin e komunave të reja, të formuara pas  luftës. Por politikanët nuk denjuan të punojnë për zgjidhjen e kësaj çështje. Më  5 qershor ne bllokuam rrugën e parkingut të parlamentit dhe protestës sonë iu bashkuan rreth 2000 njerëz, të cilët kërkojnë pajisjen me numra amzë të fëmijëve, në mënyrë që të dëshmohet se ata ekzistojnë dhe të mos  mbesin të padukshëm” thotë për Portalb, Valentina Pellizzer, drejtoreshë e OWPSEE.



Si  pasojë e trysnisë së protestës, Belmina, më në fund u pajis me një numër amzë të përkohshëm dhe me pasaportë për të udhëtuar, ndërsa protestuesit vazhdojnë të protestojnë me qëllimin që tu plotësohen këto kërkesa

1. Të miratohet menjëherë Ligji për numra Amzë. 
2.  Të formohet Fondi Shtetëror për solidaritet, i cili do të shërbente për mjekimin e pacientëve , të cilët nuk mund të marrin trajtimin e duhur mjekësor në BH.
3.  Parlamentarët të heqin dorë nga 30 përqindëshi i të ardhurave të tyre dhe ata të derdhen në llogari të Fondit.
4.  Të mos ndiqen penalisht  dhe  të mos i nënshtrohen  represionit, protestuesit që bllokuan hyrjen e parlamentit.

“Duam të kemi të drejtat themelore të njeriut për fëmijët tanë dhe më së fundi t’u tregojmë politikanëve se nuk janë të plotfuqishëm. Duhet të bëjnë një punë dhe të justifikojnë pagat e larta që kanë falë parave tona,” thotë për mediat boshnjake, Nela Dimitrijeviç, një aktore dhe nënë nga Sarajeva.

Protestat dita-ditës bëhen më masive. Darko Brkan nga OJQ “Zasto ne” thotë për Portalb se të martën (11.06) para Parlamentit ishim mbledhur thuajse 10 mijë persona.

“Kjo rezistencë tani më është shndërruar në fushatë të cilën e përkrahin shumë banorë të BeH por dhe jashtë saj. Madje, ajo është shndërruar në simbol të mos-interesimit të pushtetarëve të Bosnjës për të gjithë ne. Njëkohësisht, ky aksion tregon se kur organizohen banorët mund ti zgjidhin disa çështje dhe ti detyrojnë përfaqësuesit e pushtetit të punojnë.  Nëse deri me 30 qershor nuk miratohet Ligji ne do të kthehemi me protesta masive, tani për tani do i largojmë protestat dhe bebet nga rruga” thotë Brkan.

Ministri i Punëve të Jashtme i BiH-së Zllatko Lagumxhija shprehu mbështetje për demonstratat paqësore të protestuesve. Ai u tha gazetarëve në Sarajevë se beson se protestat janë një pasqyrim i pakënaqësisë ndaj qeverisë në përgjithësi dhe inkurajoi Këshillin e Ministrave të BiH-së të trajtojë çështjen e numrave të identifikimit.

“Ky është vetëm fillimi, ne do të vazhdojmë të protestojmë, kemi një energji të pabesueshme” tha Pellizzer e cila nga nesër do të pijë kafenë e saj në kohën kur deputetët do të dalin në pauzë, si një shenjë rikujtimi se ata duhet ta kryejnë punën e tyre.

Ueb sajti zyrtar: JMBG, aktiviteti në Facebook dhe në Twitter me hashtagun #jmbg   

                                 Ju jetoni nga tatimi jonë, ne ju paguajmë juve

Lajme të ngjashme

Back to top button