Limaj: Jo deputetë me vota të vjedhura

Deputeti nga radhët e PDK-së, Fatmir Limaj kërkon që t’u merret mandati deputetëve me vota të vjedhura. Ai këto komente i bëri në një konferencë të organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe Friedrich Ebert Stiftung, me temën “Krimi i organizuar në zgjedhje, roli i partive politike, politika e ndjekjes dhe dënimeve”.

“Do të doja shumë që organet kompetente, nëse themi se ka pasur devijim të votës nga një kandidat në kandidatin tjetër, t’ia marrin mandatin atyre. Është pyetja a ka deputet që sot që është me vota që s’janë të tijat në Parlamentin e Kosovës? Nëse ka dhe vërtetohet se ka, atij duhet t’i merret mandati dhe këtu mund të diskutojmë. Unë mendoj se kjo i shërben proçesit të ardhshëm të zgjedhjeve”, deklaroi Limaj.

Në legjislaturën aktuale Kuvendi i Kosovës ka gjithësej 87 deputetë të rinj, të cilet nuk kanë qenë më herët pjesë e Kuvendit. Për deputetin e AAK-së, Ahmet Isufi, gjasat që në këtë numër të ketë deputet me vota të vjedhura janë të mëdha.

“Manipulimi zgjedhor ka degraduar politikën vendore në përgjithësi dhe pa arsye ka barazuar keqpërdoruesin dhe ata që janë zgjedhur me votën e lirë. Sepse në Parlamentin e Kosovës kemi deputetë që kanë mundur të fitojnë sepse janë figura politike dhe mund të jenë të përzgjedhurit. Por, kemi edhe deputetë të cilët as atyre vetë nuk ua ka marrë mendja që mund të jenë as këshilltarë komunalë e jo më deputetë. Vjedhjet në fakt kanë cënuar legjitimitetin e deputetëve të Kuvendit”, theksoi Isufi.

Instituti i Kosovës për Drejtësi prezantoi një raport për këtë çështje dhe sipas Betim Musliut, gjatë hulumtimit është vërejtur se prokurorët kanë hezituar në zbardhjen e krimeve.

“Pas manipulimit të zgjedhjeve në vitin 2010 është fajësuar sistemi zgjedhor. Mirëpo ne mendojmë se nuk është fajtor sistemi zgjedhor, por faktori njeri. Pra, kanë qenë përgjegjës ekzekutuesit e manipulimit të zgjedhjeve që kanë qenë përfaqësues të partive politike. Meqenëse në të kaluarën nuk e kemi ndjekur dhe gjykuar vjedhjen e votave që ka ndodhur si në vitin 2004, 2007 dhe 2009, atëherë është arritur kulmi i manipulimeve në zgjedhjet e vitit 2010, ku u zgjuan edhe të vdekurit dhe votuan”, pohoi Musliu.

Pjesëmarrës në këtë tryezë ishte edhe kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka dhe prokurorja e Prokurorisë së Shtetit, Laura Pula. Bëhet e ditur se për zgjedhjet e vitit 2010, prokurorët kanë ngritur akuza për 221 raste ndaj 1.516 personave dhe se në proçes të ngritjes së aktakuzave janë edhe 758 komisionerë të tjerë, ndërsa janë edhe 300 raste të tjera që duhet të hetohen, ku përfshihen rreth 2.500 komisionerë, për të cilët Qendra e Numërimit të Rezultateve ka nxjerrë prova të pakontestueshme se kanë manipuluar votat.

Lajme të ngjashme

Back to top button