Tetovë: Nuk do të ndërtohet me 2 milion euro, ashtu si u tha, shtrati i lumit Shkumbin

Ndonëse kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, në një intervistë për Portalb, në maj të vitit 2018, tha se do të rregullohet shtrati i lumit “Shkumbin” me projekt prej 2 milion eurove, duke nisur nga mulliri deri në rrugën Industriale, i njëjti projekt ngelet ende i parealizuar. Nga Komuna, edhe pse para një muaji thanë se presin nga operatori ekonomik fitues i punimeve që t’i njoftojë zyrtarisht se kur do të fillojë puna në rregullimin e shtratit të lumit, tani thonë se kanë arritur të sigurojnë fonde vetëm për rregullimin e shtratit të lumit në Reçicë, transmeton Portalb.mk.

Rregullimi dhe pastrimi i shtratit të lumit Shkumbin është një temë që diskutohet vite me radhë. Mbeturinat e shumta në lum, ndërgjegjësimi i ulët i qytetarëve, mos pastrimi dhe mos rregullimi i lumit çuan edhe deri në vërshime në vitin 2015. Ndonëse vitin e kaluar u tha nga kryetarja e komunës, Teuta Arifi, se shtrati i lumit do të ndërtohet në tërësi me projekt në vlerë 2 milion euro, i njëjti projekt ngelet i parealizuar.

“Deklarata të cilën e theksoni ju është lidhur nga fakti i mundësisë të konkurrimit në fondet e huaja. Dhe nga këta fonde bashkërisht me Ministrinë e Ekologjisë arritëm të sigurojmë mjete vetëm për Reçicën, por kjo nuk do të thotë që ne do të ndalemi të kërkojmë financime për këtë projekt”, thanë nga komuna.

Megjithatë, për të njëjtën pyetje, një muaj më herët nga komuna u përgjigjën ndryshe dhe thanë se presin nga operatori ekonomik datë për fillimin e ndërtimeve.

“Ne si komunë kemi kërkuar edhe nga operatori ekonomik fitues i punimeve që të na njoftojë zyrtarisht se kur do të fillojë puna në rregullimin e shtratit të lumit, punimet nuk mund të realizohen derisa është niveli i ujit i lartë pasi që deri këtë kohë kemi pasur shkrirje të borës por edhe të reshura të shiut andaj të gjitha me kohë, që është një projekt shumë i mirëfilltë dhe do të sjellë në një gjendje jashtëzakonisht të bukur jo vetëm lumin por edhe pamja e qytetit do të ndryshojë pasi që është një nga pjesët ku do të relaksohen edhe qytetarët posaçërisht në stinën e verës, edhe këtu punimet priten të realizohen në disa faza për shkak të gjatësisë së lumit punimet pritet të fillojnë së shpejti besojmë e me këtë edhe do të merr fund problematika me të cilën është përballur ndër vite gjithë shtrati i lumit”, thanë nga komuna më datë 26 qershor të këtij viti.

Nga ana tjetër, pastrimi i lumit është çështje në vete. Qytetarët thonë se shtrati i lumit është pastruar në tërësi së fundmi herë në vitin 2015 pas vërshimeve, por nga komuna thonë se i njëjti pastrohet çdo vit pjesë-pjesë.

“Lumi Shkumbin thuajse secilin vit është pastruar në tërësi po edhe gjatë viteve është pastruar edhe pjesë pjesë aty ku ka qenë e nevojshme. Edhe këtë vit ashtu është vepruar është pastruar në disa pjesë ku ka qenë më shumë e nevojshme dhe rreziku nga vërshimet më i madh, si dhe pastrimi do të vijojë deri në fund të vitit”, thonë nga Komuna.

Ata akuzojnë qytetarët e pandërgjegjshëm për hedhjen e mbeturinave në lum.

“Problematikë më e madhe në këtë drejtim është veprimi i pandërgjegjshëm i një pjese të qytetarëve të cilët hedhin mbetje të ndryshme në rrjedhën e lumit gjë që shkakton grumbullimin e këtyre mbetjeve në pjesë të ndryshme e më së shumti në fund të qytetit aty ku edhe situate vështirësohet mirëpo intervenohet në shumë raste kur është e nevojshme. Do të thotë pastrimi do të vazhdojë sepse është procedurë që nuk ndalohet, nuk mund të themi se sot e kemi pastruar dhe pas disa muajve nuk do ketë nevojë të pastrohet”, thonë nga komuna.

Deponia te lagja e romëve është problematikë në vete, të cilën Komuna thotë se e ka pastruar, por qytetarët e demantojnë këtë informatë.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. para zgjedhjeve lokale 2017, shkrova se nese tetovaret e rivotojne Teuta Arifin, ata burra e gra te moshes madhore duhet te rradhiten ne rradhe, rradhe kilometrike deri ne Gostivar ne trajtim te neurologu evropian Arben Taravari.
    neve qe jemi me naive nuk na besoheshte se mund te rivotohet nje prefekte dembele, me indicione per kriminalitet.
    shumica tetovare nuk i dha shans ndonjerit prej kunderkandidateve te saj
    shumica, me vetedije (!) zgjodhen edhe nje mandat katastrofal.
    shumica percakton fatet, kjo eshte jeta
    desha te them, Tetova, sot me e katandisur se kurre, e meriton prefekten e vet,
    se me te mire se ajo qytetaret mundeshin, por nuk zgjodhen
    ama prap, kerkimi i pergjegjesise duhet te vazhdoje, ashtu si ky serial i Portalbit, konkret dhe tamam gazetaresk.

Leave a Reply to tetovare Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button