Tetovë: Deponia te lagja e romëve sa vjen e shtohet, Komuna thotë se e ka pastruar

Akoma nuk është pastruar deponia e egër në lagjen e romëve në Tetovë që për vite me rradhë rri e papastruar. Megjithatë, komuna thotë se deponia është pastruar por ndotet sërish nga romët që punojnë me hedhurina, transmeton Portalb.mk.

Banorët e lagjes ankohen se shkaku i deponisë vjen shumë erë e keqe dhe ekziston rreziku për përhapjen e ndonjë sëmundje. Megjithatë, sipas komunës, ata e kanë pastruar deponinë por e njëjta rikrijohet sërish nga romët.

“Është pastruar disa herë, por ndotet sërish nga romët që punojnë me hedhurina aty”, thonë nga Komuna e Tetovës.

Banorët demantojnë këtë informatë dhe thonë se e njëjta nuk është pastruar deri sot. Megjithëse banorët thonë se lumi Shkumbin është parë të pastrohet tërësisht së fundmi herë në vitin 2015, nga Komuna thonë se lumi është pastruar secilin vit në ato pjesë ku ka qenë e nevojshme. Megjithatë, duket se deponia te lagja e romëve nuk është një prej pjesëve të pastruara.

“Lumi Shkumbin thuajse secilin vit është pastruar në tërësi po edhe gjatë viteve është pastruar edhe pjesë pjesë aty ku ka qenë e nevojshme, edhe këtë vit ashtu është vepruar është pastruar në disa pjesë ku ka qenë më shumë e nevojshme dhe rreziku nga vërshimet më i madh si dhe pastrimi do të vijojë deri në fund të vitit”, thonë nga Komuna.

Komuna fajin e hedh te qytetarët e pandërgjegjshëm.

“Problematikë më e madhe në këtë drejtim është veprimi i pandërgjegjshëm i një pjese të qytetarëve të cilët hedhin mbetje të ndryshme në rrjedhën e lumit gjë që shkakton grumbullimin e këtyre mbetjeve në pjesë të ndryshme e më së shumti në fund të qytetit aty ku edhe situate vështirësohet mirëpo intervenohet në shumë raste kur është e nevojshme”, thonë nga Komuna.

Ata thonë se pastrimi do të vazhdojë sepse është procedurë që nuk ndalohet. Sipas tyre, nuk mund të thuhet se sot e kemi pastruar dhe pas disa muajve nuk do ketë nevojë të pastrohet.

Në intervistën për “Vërtetmatësin” dhe “Portalb“, me 25.05.2018 kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi premtoi se do të pastrohet deponia e egër në rrugën “Dervsh Cara”, vetëm 700 metra larg objektit të Komunës. Ky premtim i saj deri më tani (26.06.2019) nuk është realizuar. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button