Deponia e Shutkës, inspektoratet: I kemi përfunduar aktivitetet, përgjegjësia te Kurto Dudushi
Inspektorati i Shkupit, Inspektorati Shtetëror i Ekologjisë dhe Këshilli Inspektues u shprehën decid se, “aktivitetet e tyre ndaj deponisë ilegale në Shuto Orizare (Shutkë) kanë përfunduar”, dhe për të ardhmen e deponisë, përgjegjëse sipas tyre dhe Ministrisë së Ekologjisë është Komuna e Shuto Orizares, transmeton Portalb.mk.
Shefi i Inspektoratit të Shkupit, Mirosllav Bogdanovski deklaroi se ata kanë mbaruar aktivitetet ndaj asaj deponie, ndërkaq vlerësoi se mbushja e serishme nga Komuna e Shuto Orizares nuk është në rregull.
“Ja pra ashtu. Deponitë ilegale janë përgjegjësi e Komunave, gjegjësit veprimi ndaj atyre deponive. Ne patëm siguruar rroje, por me siguri Komuna e Shuto Orizares u jep leje që të hudhin mbeturina. Të njoftuar janë të gjithë për këtë gjendje. Përgjigjet kërkoni te kryetari i Shkupit. Janë të njoftuar të gjithë: edhe Ministria, edhe MPB”, tha Bogdanovski.
Edhe nga Inspektorati Shtetëror i Ekologjisë dhe nga Këshilli i Inspektues deklaruan se çështja e deponisë është punë e autoriteteve lokale – komunave, dhe se aktivitetet e tyre kanë përfunduar.
“Ne si Këshill Inspektues nuk kemi kompetenca më ndaj deponisë. Ne e obliguam Inspektoratin Shtetëror, dolën, e inspektuan vendin, dhe tashmë janë ndarë obligimet. Ne nuk kemi kompetenca as ndaj komunave, që të shohim se kush ku hedh mbeturina”, tha sekretarja e Këshillit, Daniella Rendoska.
Nuk mund të kuptohet se nëse institucionet e lartpërmendura i kanë kryer detyrimet e paracaktuara ndaj deponisë, sepse nuk ka dokument ku përshkruhen saktë.
Nga Këshilli Inspektues paraprakisht nëpërmjet Inspektoratit Shtetëror, ka obliguar Inspektoratin e Shkupit dhe të Komunës së Shuto Orizares që të koordinojnë aktivitetet për pastrim të deponisë së Shutkës. Deponia thuajse është pastruar, por njëkohësisht aty vazhdon ende hedhja e mbeturinave, edhe pse premtimet kanë qenë që e njëjta të mos shfrytëzohet as si stacion ngarkim – shkarkimi, dhe të mos hudhen më mbeturina.
“Ne nuk kemi vendim. As nuk kemi dokumente për atë deponi, as nuk e kontrollojmë atë punë atje. Ajo është punë lokale e autoriteteve lokale”, tha inspektori Hisni Thaçi, derisa e pyetëm se a ekziston ndonjë dokument ku definohet përgjegjësitë e secilit institucion ndaj kësaj deponie.
Inspektori i Shkupit: Mbushja e sërishme nuk është në rregull
Pasi Portalb.mk u tregoi se në vendngjarje ka takuar njerëz që hedhin mbeturina, inspektori Bogdanovski edhe pse vlerësoi se kjo nuk është në rregull, qau hallin, se me 7 inspektorë sa ka Shkupi, nuk mund të patrullohet 24 orë në deponi.
“Ne kemi edhe incizime me dron. Janë kapur. Janë njoftuar të gjithë. Hedh mbeturina, ja që dikush i ka dhënë leje atij. Por ne si Inspektorat të ruajmë 24 orë atje është e pamundur, por mbushja e serishme e asaj deponie, nuk është në rregull”, tha Bogdanovski.
Është kontaktuar kryetarin e Komunës së Shuto Orizares, Kurto Dudush, i njëjti premtoi se pas të hënës do të deklarohet për çështjen.
Për hedhjen e mbeturinave janë informuar Inspektorati Komunal, nga atje premtuan se do të pastrohet në tërësi dhe se nuk do të hedhen mbeturina.
Pas realizimit të kontrollit inspektues, Inspektorati Shtetëror ka përpiluar procesverbal i cili thotë: “Lokacioni nuk i plotëson kushtet minimale që të shfrytëzohet si stacion i ngarkim shkarkimit. Vetë lokacioni është afër rrugës, dhe mbetjet janë hedhur afër rrugës që dërgon në drejtim të Kishës dhe është në territor privat. Leje për stacionin e ngarkim – shkarkimit Komuna e Shuto Orizares nuk posedon dhe nuk ka menaxhuar me lokacionin, dhe gjithashtu nuk e ka kryer obligimin grumbullim – transportim – hedhje të mbetjeve. Është vërtetuar se kompetencë për zgjidhjen e këtij problemi është e pushtetit lokal, respektivisht e Komunës Shuto Orizares”.
Pas testimit të dëmeve Instituti i Shëndetit Publik në raport mes të tjerash alarmoi: “Deponia paraqet rrezik serioz në shëndetin publik. Rekomandohet që urgjentisht të ndalohet hedhja e mbeturinave në lokacionin e përmendur, ndërmjet Shuto Orizares dhe Vizbegut, në afërsi të Hotelit “Nju Star”. Patjetër të realizohet zhvendosja e lokalitetit të shkarkimit të mbeturinave dhe ajo të bëhet në pajtueshmëri me rregulloren ligjore, si dhe realizohet sanimi afatgjatë i lokalitetit të shfrytëzuar, përfshirë edhe dezinfektimin dhe deratizimin. Institucionet përgjegjëse dhe komuna duhet që urgjentisht të sigurojnë lokalitet të sigurt për shkarkim të mbeturinave, i cili do t’i përmbushte të gjitha elementet që parashihen në ligj dhe aktet nënligjore të kësaj fushe, kurse në verifikimin e këtij lokaliteti duhet të përfshihen edhe personat profesional – specialist të shëndetit publik, të cilët do t’i vlerësonin rreziqet dhe aspektin e shëndetit publik”.
- LEXO: Inspektorja e Shutkës e demantoi Smilevskin: Në deponi nuk duhet të hudhen as mbetje
- LEXO: Pamje të trishta në deponinë e Shutkës: elbi, duhani dhe mbeturinat piqen pranë njëri-tjetrit
- LEXO: Situata e deponisë së Shutkës drejt eskalimit: Komunat janë obliguar ta pastrojnë, e ato presin inspektim tjetër
- LEXO: Kryeministri Zaev e di rastin e deponisë së Shutkës: Me djegien shkakton dëme ekologjike shtesë (VIDEO)
- LEXO: Deponia në Shutkë: Shabani thirret në ilegalitet, Dudush thotë se Zaevi vendos se kush çfarë përgjegjësie ka në këtë shtet
- LEXO: ISHP-ja rekomandoi: Urgjentisht zhvendosje, dezinfektim dhe vaksinim
- LEXO: Djegia e deponisë në Shutkë: Nuk janë kapur njerëzit, nuk do të ketë përgjegjësi
- LEXO: Kryetari i Shutkës, Dudush: Të miturit e djegin deponinë, do të zhvendoset në Drislla
- LEXO: Banorët e Çairit, Butelit dhe Vizbegut po thithin helm