Personazhet e njohura shqiptare që e kanë pranuar publikisht tradhtinë

Ata që thonë se tradhtia është pjesë e jetës, me siguri duhet ta kenë provuar në kurriz atë shijen e keqe që të lë ajo dreq ndjesie. Sa dridhje pa ndërgjegje të jep trupi kur e di që partneri po ta dredh apo sa herë mund t’ia kesh bërë të njëjtën pyetje vetes “Ku gabova unë?” (Të mos merremi pastaj me atë pyetjen tjetër që mund të të mundojë më shumë se e para “Është më e bukur se unë?”)…

Gjithsesi, mes nesh ka njerëz që edhe kur janë tradhtuar, e kanë pasur fare thjesht të kthejnë faqe e të rinisin një kapitull të ri, ashtu si edhe shumë të tjerë, pasi kanë qarë sa kanë mundur, nuk kanë parë tjetër zgjidhje vetëm dritën përpara. Në një shoqëri si e jona, ndodh edhe që “plumbi del me plumb”, por këto raste mund të mos kenë “fat” të gjithë t’i jetojnë.

Mes personazheve të njohur shqiptarë, mund t’i numërosh me gishta ata që pranojnë para publikut të tyre se i kanë dhënë fund një marrëdhënieje për shkak se janë tradhtuar. Nuk është aspak çudi që menjëherë në këtë moment kanë fituar më shumë pikë nga fansat e tyre. Jo për çka u ka ndodhur, por më shumë për faktin që janë treguar të hapur duke pranuar, në fund të fundit, se nuk janë perfekt, diku edhe mund të kenë gabuar, diku edhe mund t’u ketë dalë situata nga kontrolli, diku mund të jenë lënduar e fyer si të gjithë…. Pa doreza, hapur, natyrshëm, si rrallë personazhe të njohur dinë ta bëjnë, mes emrave tanë të njohur, ka edhe nga ata që guxojnë ta thonë një të vërtetë, transmeton Revista Class.

Sado që, të hidhur e ka shijen, tradhtia “ecën” mes nesh….

Era Rusi

Vetëm dy ditë më parë, nga “E Diell”, Era Rusi zbuloi se si, fare pa dashur dhe pa më të voglin qëllim, zbuloi se i dashuri po ia dridhte: “Zoti m’i sjell gjërat vetë”, – tha ajo para se të niste të rrëfente ç’kishte ndodhur me shokun e saj, për të cilin, vetëm dy javë më parë, në një bisedë me të atin, pranoi se e donte dhe se donte të fejohej.

Meqenëse telefoni i saj ishte djegur, iu desh që të përdorte atë të shokut të saj për t’u marrë vesh me kolegët që do të shkonte në koncertin e radhës. Padashur, kishte harruar tualetet në makinë dhe i kërkon Atij të zbresë (nga kati i shtatë i banesës) dhe të shkojë t’ia marrë, por i lutet t’ia lërë telefonin: “Në atë moment vjen një mesazh “faleminderit”. Nuk kishte asnjë pyetje, vetëm përgjigje. Kur u ngjit lart, unë nuk e ngacmova, e lashë telefonin në tavolinë dhe nuk u ndjeva fare.”

Pasi shkuan afër vendit ku do të mbahej koncerti, Era ia kërkon sërish telefonin mikut të saj që të mund të fliste me kolegët dhe e të merrej vesh me ta: “Atëherë pashë që ai mesazh ishte fshirë. Ishin të gjitha mesazhat e tjera, por ai jo… Tani, mund të më thuash ti pse u fshi ai mesazh?” – bëri një pyetje retorike Era.

Albërie Hadërgjonaj

Edhe pse u bënë më shumë se 10 vjet që Albërie Hadërgjonaj është ndarë nga bashkëshorti, pyetjet për atë martesë asnjëherë nuk mungojnë sa herë ajo jep intevista. Kjo, edhe për arsyen e thjeshtë se këngëtarja del rrallë dhe gjithmonë ka shumë gjëra për të thënë.

Pak kohë më parë, e ftuar në Top Shoë Magazine, Albëria u përball sërish me pyetjen për ndarjen nga bashkëshorti, por ndryshe: “Po nuk e kemi mësuar, të la ai apo e le ti?

“U lamë të dy”, – tha ajo, duke rrëfyer se martesa me Mentorin nuk kishte qenë aspak e thjeshtë: “Ai ka dashur të më lërë që kur u martuam”, – e nisi me humor Albëria, por më tej rrëfeu se, në të vërtetë, pavarësisht plot 19 viteve martesë, nuk kanë qenë bashkë, sepse kanë jetuar gjithmonë të ndarë: “Kam pasur një martesë që e kam dashur shumë, ai më ka tradhtuar gjithmonë, absolutisht po… Isha e vogël dhe nuk kisha eksperiencë jete. Më vonë, pasi u rrita, e përjetova ndryshe. Jemi martuar shumë të rinj, pastaj ai ishte dhe është burrë shumë i pashëm, kishte lekë, ndaj edhe vajzat i vardiseshin”.

Ndërsa për pyetjen “kush la kë”, këngëtarja tha: “U lamë të dy, jemi ndarë në paqe. Njerëzit nuk i detyron dot të rrinë të martuar…. Pastaj ne kemi jetuar gjithmonë të ndarë, unë vajzat i rrita vetëm. Ai ka jetuar në Rusi, Çeki, pastaj 7 vjet ishte i arrestuar, unë nuk kam jetuar me atë njeri kurrë. Bëra vajzat dhe kaq.”

Hueyda El Saied

Hueyda El Saied është një prej atyre personazheve që ndajnë thuajse gjithçka me publikun. Përherë e sinqertë dhe e drejtpërdrejtë, ish-balerina ka mbetur një prej vajzave që publiku shqiptar përherë e ka simpatizuar edhe për shkak të këtij komunikimi të hapur që ajo ka vendosur të ketë me të.

Partneri i saj Mishel, babai i Gabrielit, ishte i njohur edhe për fansat e Hueydës. Madje, ai kishte ardhur edhe në Shqipëri disa herë. Por kaq ishte. Dashuria mbaron dhe kjo duhet pranuar…

E ftuar në Top Magazine për të promovuar projektet e saj pak kohë më parë, Hueyda foli edhe për jetën personale. Prej disa kohësh, ajo nuk jetonte më me Mishelin dhe këtë nuk gjente arsye ta fshihte më: “Nuk jetoj më me Mishelin, jam ndarë. E thashë më në fund”, – tha Hueyda për Top Magazine.

E pyetur si është ndier pas këtij momenti, ajo përgjigjet me pyetje: “Si mund të ndihet njeriu kur tradhtohet? Dy javët e para qava, pastaj e mblodha veten dhe thashë se nuk jam as e para, as e fundit. Dashuria mbaron. Pastaj fillova të merrem më shumë me veten…”

Madje, ndarja me Mishelin, shtoi më tej Hueyda, i ka bërë nder, tani ndihet më mirë dhe është me energjike. Ajo tashmë po merret më shumë me pasionet e saj, një prej të cilave edhe të ushtruarit e yoga-s: “Falë Mishelit, shiko si jam bërë unë tani” – tha El Saied, edhe pse nuk i fshihte dot lotët nën qerpikë.

Loredana

Ka edhe kështu. Në raportin e një prej çifteve më të përfolur të kohëve të fundit, me shumë gjasë, ka pasur edhe tradhti. Reperi Mozzik dhe e dashura e tij, Loredana Zefi, mund të kenë kaluar një periudhë jo të lehtë në raportin e tyre.

Në një prej projekteve të tij të fundit, Mozzik flet për pendesën pas një tradhtie dhe pjesë e klipit është edhe Loredana. Në këngë, Mozzik tregon për tradhtinë ndaj së dashurës, e cila e kishte kapur mat dhe ndihet i penduar për gjestin që ka bërë.

Pjesëmarrja në klip e vetë Loredanës, në fakt u komentua gjatë si një ngjarje e cila mori shkas nga një histori personale që ka ndodhur mes çiftit dhe, me sa duket, Loredana e ka falur.

Anxhela Peristeri

Edhe Anxhela, ndonëse jo pak e rezervuar për të rrëfyer publikisht detaje nga jeta personale, kur është fjala te tradhtia, pranon se edhe ajo ka rënë pre e saj.

Janë të rralla rastet kur Anxhela Peristeri e ka gjetur veten në titujt rozë, megjithatë, edhe në ato pak raste kur është përballur me pyetje të tilla, ka pranuar edhe se është tradhtuar nga partneri i saj. E ftuar në një intervistë në “Thumb” pak kohë më parë, Anxhela pranoi se e kanë tradhtuar.

“Patjetër, më kanë tradhtuar”, – tha këngëtarja, ndërsa për reagimin që ka pasur pas kësaj, është përgjigjur: “Nuk kam reaguar fare!”. Mbase s’kishte ç’të bënte më…

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button