Kreu i Komitetit Ushtarak të NATO-s vizitoi Shqipërinë
Kreu i Komitetit Ushtarak të NATO-s, gjeneral Sir Stuart Peach, zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri, ndërsa është takuar me zyrtarë të lartë, si presidentin e vendit, Ilir Meta, ministren e Mbrojtjes Olta Xhaçka dhe drejtues të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, transmeton Anadolu Agency.
Në njoftimin nga Presidenca e Shqipërisë thuhet se Meta gjatë takimit ka vlerësuar mbështetjen e dhënë nga Komiteti Ushtarak i NATO-s për projektin e Bazës Ajrore të Kuçovës, duke theksuar se bashkëpunimi me Aleancën ka një rëndësi strategjike për sigurinë kombëtare dhe rajonale.
“Presidenti Meta siguroi se Shqipëria do të vijojë kontributet e saj në misionet në Afganistan, Kosovë, Bosnje dhe Hercegovinë, Mali, Detin Egje, Letoni, Rumani dhe Mesdhe. Shqipëria është një anëtare e NATO-s, e pozicionuar në mënyrë të vendosur në procesin e integrimit evropian, duke pritur që të hapë negociatat e pranimit të saj”, është shprehur presidenti Meta.
Ndërkohë, kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO-s është takuar edhe me ministren e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, ndërsa në fokus të takimit të tyre ishte situata e sigurisë në rajon.
“Gjeneral Peach vlerësoi rolin e Shqipërisë si një faktor stabiliteti në rajon dhe kontributin e vendit tonë në misionet e NATO-s. Temë e diskutimit ishte investimi i NATO-s në Bazën Ajrore të Kuçovës, për të cilën dy bashkëbiseduesit vlerësuan rëndësinë strategjike që ka ky investim, jo vetëm për Aleancën, por edhe për vendin”, theksohet në njoftimin nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë.
Gjeneral Sir Stuart Peach, u prit në një takim edhe nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, duke diskutuar për kontributin e ushtarakëve shqiptarë në kuadër të angazhimeve të Aleancës.
Komiteti Ushtarak i NATO-s përbëhet nga shefat e shtabeve të forcave të armatosura të vendeve anëtare të Aleancës.