Akil Gjakova mposhti rusin për të rrëmbyer të artën në Budapest
Akil Gjakova ka arritur të mposhtë kundërshtarin e tij rus në finale për të rrëmbyer medaljen e artë në Grand Prix Budapest.
Trajneri i tij, Driton Kuka, ka thënë se fitorja e tij ndaj rusit ishte “qershia mbi tortë”.
“Akil Gjakova dominon në Grand Prix Budapest! Çfarë Akili sot i çmendur! Luftë pas lufte deri në finale mposhti kanadezin, zviceranin e në çerekfinale legjendën e xhudos japoneze Ebinumen, në gjysmëfinale uzbekun e në finale qershia mbi tortë, rusin Elbakiev në mënyrë efikase me dy hudhje të bukura”, ka shkruar Kuka në Facebook, raporton Koha.net.
Kujtojmë se në këtë garë, Kosova po përfaqësohet me pesë garues, katër në konkurrencën e femrave dhe një te meshkujt.
Ditën e djeshme, garat i zhvilluan Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi e Nora Gjakova.
Krasniqi pati një paraqitje të shkëlqyer në Grand Prixin e Budapestit. Në kategorinë 48 kilogramë, ajo rrëmbeu medaljen e argjendtë, transmeton Koha.net.
Në finale ajo pësoi nga japonezja, Funa Tonaki, e cila fitoi me ippon në “Golden Score”.
Edhe Nora Gjakova ka rrëmbyer medaljen e argjendtë në këtë garë. Në kategorinë 57 kilogramë, ajo pësoi në finale nga braziliania Rafaela Silva, transmeton Koha.net.
Silva fitoi këtë meç me ippon.
Kurse befasia e këtij turneu mund të konsiderohet fakti se kampionia olimpike, Majlinda Kelmendi, nuk ka arritur të rrëmbejë medalje në Grand Prixin e Budapestit.
Në garë për medalje të bronztë, ajo pësoi nga spanjollja Ana Perez Box në kategorinë 52 kilogramë, transmeton Koha.net.
Përkundër që ishte duke udhëhequr përballjen ndaj spanjolles, Kelmendi në fund pësoi me një ippon.