Kosovë, barrikada në urën e Ibrit pret zgjidhje politike

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Volker Halbauer tha sot se barrikadat në veri të vendit nuk paraqesin më problem për lëvizjen e lirë. Mirëpo ajo në urën kryesore të lumit Ibër në Mitrovicë ka domethënie politike dhe kërkon zgjidhje politike. Halbauer këto komente i bëri pas takimit me zëvendëskryeministrin Sllobodan Petroviq. 

Në fokus të takimit të zëvendës-kryeministrit Petroviq me komandantin e KFOR-it Halbauer, ishte gjendja në veri si dhe zhvillimet politike. Halbauer tha se barrikadat në veri nuk paraqesin ndonjë problem për lirinë e lëvizjes përveç asaj në urën kryesore të Ibrit në Mitrovicë, e cila kërkon zgjidhje politike.

“Sa i përket lëvizjes së lirë barrikadat nuk paraqesin ndonjë problem më. Ndërsa sa i përket barrikadës në urën kryesore në Mitrovicë ajo ka një domethënie politike, pra është një sinjal për të gjithë bartësit e përgjegjësisë politike në këtë rast që vërtet lidhur me këtë të gjejnë një zgjidhje politike. Sa i përket zgjidhjes politike kjo është një çështje që duhet të punojmë të gjithë së bashku që të arrijmë deri të një zgjidhje dhe për këtë mirëpres bashkëpunimin me zëvendëskryeministrin”, tha Halbauer.

Ministri Petroviq ka falënderuar Komandantin Halbaur për kontributin që KFOR-i është duke dhënë në ruajtjen e rendit dhe qetësisë në vend. Ai tha se edhe në të ardhmen do të thellohet bashkëpunimi mes KFOR-it dhe institucioneve vendore.

“Në periudhën e ardhshme do të kemi aktivitete të përbashkëta nëpër komuna. Kështu që do të dërgojmë tek qytetarët mesazhin për rëndësinë e rendit dhe qetësisë për të ardhmen”, tha Petroviq.

Ministri Petroviq informoi komandantin e KFOR-it edhe për procesin e decentralizimit që është prioriteti kryesor i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button