Kosova filloi me rehabilitimin e hekurudhës Prishtinë – Hani i Elezit, lidhet me RMV-në (FOTO)

Kanë filluar të martën në Fushë Kosovë punimet për rehabilitimin e fazës së parë të linjës së 10 hekurudhore Prishtinë-Hani i Elezit që e lidhin Kosovën me Maqedoninë e Veriut, raporton Anadolu Agency (AA). 

Rehabilitimi i rrugës hekurudhore i cili po bëhet në kuadër të kornizës për investime në Ballkanin Perëndimor nga BE dhe partneritetit me Ministrinë e Infrastrukturës, do të modernizojë 67 kilometra rrugë hekurudhore Prishtinë-Hani i Elezit dhe 13 stacione treni, ndërsa shpejtësia e trenave do të arrijë deri në 100 kilometra në orë.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj

Pjesë e kësaj ceremonie ishte dhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili tha se Kosova ka linjë hekurudhore me Serbinë dhe me Maqedoninë e Veriut, por jo edhe me Malin e Zi dhe Shqipërinë, për të cilat tha se janë interes i Kosovës dhe vendeve fqinje.

Haradinaj tha se investimi në hekurudha ka qenë i domosdoshëm. “Kosova mund të mburret për infrastrukturën rrugore, e vërtetë është që jemi në përparim e sipër, mirëpo ngecim shumë në infrastrukturën hekurudhore. Ka qenë e domosdoshme pra, që të fillohet me renovimin, rehabilitimin e kësaj linje hekurudhore deri në Han të Elezit është tepër me rëndësi që të vazhdohet me intensitetin e njëjtë dhe të përmbyllet infrastruktura hekurudhore”, tha Haradinaj. 

Përfaqësuesi i Sektorit të Bashkëpunimit i BE-së, Luigi Brusa, foli për rëndësinë e granteve të BE-së në rajon, ku tha se nga gjithë shuma e këtyre granteve Kosova ka përfituar 10 për qind apo mbi 80 milionë euro (në total të investimeve hekurudhore 2019-2022).

Përfaqësuesi i Sektorit të Bashkëpunimit i BE-së, Luigi Brusa
Përfaqësuesi i Sektorit të Bashkëpunimit i BE-së, Luigi Brusa

Brusa, po ashtu tha se BE-ja do të vazhdojë të përkrahë projektet në Kosovë, por kërkoi që të zbatohen dhe masat e tjera paraprake dhe reforma në fusha të ndryshme.

“Kosova është një vend i vogël dhe hapja e kufijve dhe lidhjet e shpejta do të thonë shumë për të. Natyrisht, ky është një kusht i nevojshëm por nuk është i mjaftueshëm. Përkrahë kësaj në kemi nevojë për reforma në sundimin e ligjit, transparencë në administratë dhe barazi në ofrimin e mundësive për të gjithë njerëzit”, tha Brusa. 

Kryeshefi i Infrakosit, Agron Thaçi, tha se projekti për rehabilitimin dhe modernizimin e linjës 10 paraqet një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore, duke shtuar se renovimi i kësaj linje ishte bërë për herë të fundit në vitin 1974.

Ai tha se implementimi i modernizimit të hekurudhave në Kosovë i cili parashihet të përfundojë në vitin 2022 do të implementohet në tri faza. Faza e parë rehabilitimi i hekurudhës Fushë-Kosovë – Kufiri me Maqedoninë e Veriut. Faza e dytë Fushë Kosovë – Mitrovicë dhe faza e tretë Mitrovicë – Kufiri me Serbinë.

Kostoja financiare e implementimit të të gjitha fazave është planifikuar të jetë mbi 200 milionë euro, ndërsa investimi i përgjithshëm i Fazës 1, është 94.15 milionë euro nga të cilat 38.54 milionë euro janë grante nga BE-ja, 19.20 milionë euro janë kredi nga BERZH-i dhe 19.25 milionë euro janë kredi nga Banka Evropiane e Investimeve, ndërsa pjesa tjetër është kontribut i përfituesit.

Hekurudha Prishtinë - Hani i Elezit
Hekurudha Prishtinë – Hani i Elezit

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button