Detaje nga aksion policor, Janakieski dhe 10 ish funksionarë në arrest

Ish ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski, i cili është në paraburgim shtëpiak, avokati shtetëror për Qytetin e Shkupit, rreth 5 të punësuar në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve, noterë, të punësuar në Kadastër dhe një biznesmen, i cili është dashur t’i punojë shkallët spanjolle, sot janë arrestuar nga MPB, me urdhër të Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, njofton Portalb.mk.

Sipas Prokurorisë, bëhet fjalë për vepër penale “Keqpërdorim të detyrës dhe autorizimit zyrtar dhe për “Punë jo të përgjegjshme në shërbim”, ndërkaq nëpër mediat maqedonase shkruhet se bëhet fjalë për vend shtetëror, të cilën Ministria e Transportit dhe Lidhjeve ua ka dhënë personave të cilët nuk i plotësojnë kushtet, ndërkaq janë nënshkruar edhe anekse në marrje, pa i plotësuar kushtet.

“Prokuroria Publike për Krim të Organizuar dhe Korrupsion në bashkëpunim me Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve kanë ndërmarrë veprime për sigurimin e personave të dyshuar në disa lokacione në Shkup. Pas procedurës parahetimore që ka zgjatur disa muaj, sot me udhëzime të prokurorit publik nga Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion po ndërmerren masa për sigurimin e personave të dyshuar në disa lokacione në Shkup. Në mesin e të dyshuarve ka ish funksionarë, zyrtarë administrativ dhe persona që kryejnë punë të interesit publik”, janë informatat e para të Prokurorisë.

Komuna Qendër ka miratuar vendim që të ndërtohet shkallët spanjolle në Sheshin Maqedonia në vitin 2015-të, ndërkaq kryetari aktual, Sasha Bogdanoviq e ka shfuqizuar miratimin për ndërtim në shkurt të vitit 2018-të, pasi që investitori në afat prej dy vjetëve pas vendimit të plotfuqishëm, aq sa shkruan në Ligjin për ndërtim, nuk ka filluar me ndërtimin e objektit.

PORTALB UA SJELLË KUMTESËN  E PLOTË TË PROKURORISË

Në veprimet e sotme për sigurimin e personave që janë realizuar nën udhëheqjen e prokurorit publik nga Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, janë arrestuar 10 persona të dyshuar, informojnë nga Prokuroria njofton Portalb.mk.

Prokurori kompetent ka dhënë urdhër për zbatimin e procedurës hetimore për 11 persona, për të cilët ekziston dyshim bazuar se kanë kryer vepër penale “keqpërdorim të detyrës dhe autorizimit zyrtar” nga neni 353, ndërkaq një person ka kryer vepër penale “Kryerje të punës në mënyrë të papërgjegjshme”.

“Me këto veprime, të dyshuarit i kanë bërë dëm shtetit 162.644.745 denarë ose 2.647.802 euro”m thonë nga Prokuroria.

Në procedurën parahetimore është konstatuar se në periudhën prej 21.12.2010 deri në 08.08.2018, i dyshuari i parë bashkë me pesë zyrtarë administrative, duke mos i kryer obligimet e tyre zyrtare, kanë vepruar në kundërshtim me nenin 17, paragrafi 4 i Ligjit për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për tokë ndërtimore që ka të bëjë me nenin 74, paragrafi 1 i Ligjit për tokë ndërtimore.

“Në fakt, në periudhën e theksuar, të dyshuarit kanë përgatitur dhe nënshkruar katër marrëveshje për shitjen e tokës ndërtimore në pronësi të shtetit. Për dy marrëveshje që kanë të bëjnë me tokë në hapësirë prej 4090 m2, e cila është për ndërtimin e një kompleksi hotelierik me vlerë prej 20.450.000 denarë dhe për tokë për ndërtimin e një objekti komercial dhe qëllime biznesore, me hapësirë të përgjithshme prej 1046 m2 me vlerë prej 97.382.600 denarë, të dyshuarit nuk i kanë ndjekur realizimin e marrëveshjeve të nënshkruara dhe aneks – marrëveshjet. Në vend që t’i shfuqizojnë marrëveshjet, pasi që kontraktuesit nuk i kanë realizuar obligimet e tyre, dhe t’i kthejnë në pronësi të shtetit tokat, por edhe t’i detyrojnë të paguajnë dënim për marrëveshjen, ata kanë vepruar në kundërshtim me autorizimet e tyre dhe kanë mundësuar që blerësit e tokave të përfitojnë në mënyrë të paligjshme 25.000.127 denarë, nga Buxheti i shtetit, gjegjësisht 113.840.268 denarë për marrëveshjen e dytë”, thonë nga Prokuroria.

Dy marrëveshjet e tjera janë nënshkruar me një person të dyshuar i cili në rastin e parë paraqitet si person fizik – blerës, ndërkaq në rastin e dytë si pronar i një personi juridik.

“marrëveshjet kanë të bëjnë për tokë me hapësirë prej 8745 m2, me çmim që ka arritur në ankand elektronik prej 2.500 denarë për 1 m2 ose me vlerë të përgjithshme prej 21.862.500 denarë dhe për tokë me hapësirë të përgjithshme prej 13.675 m2, për ndërtimin e kompleksit hotelierik, me çmim prej 71 denarë për 1 m2, gjegjësisht me vlerë të përgjithshme prej 970.925 denarë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë, njoftonPortalb.mk.

Ata shtojnë se, duke mos mbajtur llogari për të drejtat pronësore dhe interesat e shtetit, dhe duke mos e kryer detyrën zyrtare, një prej personave të dyshuar në cilësinë e personit zyrtar, përveç që fillimisht ka konstatuar pengesa juridike për nënshkrimin e aneksit të marrëveshjes dhe ka kërkuar që të njëjtat të hiqen, e ka keqpërdorur detyrën dhe autorizimin zyrtar dhe ka përgatitur mendim pa siguruar dëshmi shtesë dhe pa konstatuar pengesa juridike për solemnizimin e tekstit të propozuar të njërit prej anekseve – marrëveshjeve. Me veprimet e tij, sipas Prokurorisë, personi i dyshuar ka vepruar në kundërshtim me nenin 2 nga Ligji për avokaturë shtetërore.

Me moskryerjen e detyrës zyrtare, dy persona si zyrtarë të cilët kanë kryer punë të interesit publik, kanë vepruar në mënyrë të paligjshme. Njëri, edhe pse dokumentacioni i dorëzuar nuk ka qenë i kompletuar, ka kryer kontroll të dokumentacionit privat dhe pastaj e ka ndërruar tekstin e njërit prej marrëveshjeve për shitje të tokës dhe aneksin e marrëveshjes në pjesën që ka të bëjë me ngarkesën reale mbi tokë. Prokuroria thotë se i dyshuari nuk ka vepruar sipas detyrave ligjore, gjegjësisht ta shfuqizojë marrëveshjen.

I dyshuari i dytë – person zyrtar, me paramendim ka ndihmuar që i dyshuari – pronar dhe udhëheqës i personit juridik, ka vepruar në mënyrë të paligjshme në lidhje me marrëveshjen për shitje të tokës, gjegjësisht e ka shkelur ligjin për Noter. Sipas Prokurorisë, edhe pse ka qenë i njoftuar nuk ka konfirmuar dhe nuk ka evidentuar ekzistim të të drejtës së ngarkesës reale në dobi të shtetit. Duke vepruar në kundërshtim me detyrat e tij zyrtare, personi ka kryer edhe Solemnizim të marrëveshjes së re – marrëveshje për dhurim të pronës për një nga tokat. Me veprimet e tij, ka mundësuar që toka t’u transferohet në pronësi të personave të tretë.

I dyshuari, pronar i personit juridik, edhe pse e ka ditur se nuk i plotëson kushtet ligjore nga marrëveshja për blerjen e tokës ndërtimore, e ka njoftuar Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve për fillimin e aktiviteteve ndërtimore, të cilat i ka ndaluar me arsyetim të pavërtetë dhe dy herë ka dorëzuar ekspertiza të përgatitura me kërkesë të tij për tregimin e gjendjes së tokës, në kundërshtim me atë që e ka konstatuar Komuna Qendër. Gjatë Solemnizimit të Marrëveshjes për dhurim të pronës së patundshme, personi ka dhënë deklaratë të rrejshme se toka ndërtimore, nuk është e ngarkuar me asnjë ngarkesë juridike.

Duke mos kryer mbikëqyrje të obliguar – personi zyrtar në mënyrë të pandërgjegjshme ka vepruar dhe nuk i ka kryer dispozitat e Ligjit për Kadastër. I dyshuari e ka ndërruar pronësinë e vendit në dobi të blerësit, pa e shënuar ngarkesën mbi tokën.

Me kryerjen e veprave, gjashtë persona kanë kryer nga një vepër penale “Keqpërdorim të detyrës dhe autorizimit zyrtar” sipas nenit 353, paragrafi 5 në lidhje me paragrafin 1, dy të dyshuar nga një vepër penale “Keqpërdorim të detyrës dhe autorizimit zyrtar” nga neni 353, paragrafi 5, në lidhje me 4 dhe 1, një i dyshuar ka kryer vepër penale “Keqpërdorim të detyrës dhe autorizimit zyrtar” nga neni 353 paragrafi 5 në lidhje me paragrafin 1, në lidhje me nenin 24 nga Kodi Penal dhe një person është i dyshuar se ka kryer vepër penale “Kryerje të detyrës në mënyrë të pandërgjegjshme”.

Duke vlerësuar se janë plotësuar të gjitha kushtet, prokurori deri te gjykatësi i procedurës paraprake në Gjykatën Penale të Shkupit ka dorëzuar propozim për shqiptimin e masës së paraburgimit për të gjithë të dyshuarit. Njëkohësisht, prokurori ka dorëzuar edhe propozim për shqiptimin e masës për sigurimin e pronës në lartësi të dëmit.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button