Përurohet Xhamia e Madhe në Strasburg

Ministri francez i Punëve të Brendshme, Manuel Vals, i cili njëherësh është kompetent edhe për çështjet fetare, sot e inauguroi “Xhaminë e madhe” në Strasburg, projekt realizimi i së cilit filloi para dy viteve.

“Xhamia e Madhe” ndodhet dy kilometra nga katedralja e bregut të lumit Ilp dhe filloi të përdoret për lutje nga gushti i këtij viti që nga Ramazani. Pjesa qendrore për lutje në xhami, e cila është me sipërfaqe prej 1.300 metra katrorë, mund të pranojë rreth 1.500 besimtarë, me çka ky është objekti më i madh fetar mysliman në Francë, para xhamisë në Evri, pjesa e së cilës për lutje ka 800 metra katrorë.

Xhamia është e mbuluar me kube prej bakri me diametër prej 16 metra, por nuk ka minare. Plani për ndërtimin e xhamisë u bë në vitin 1993 dhe kushtoi 10,5 milionë euro, prej të cilave 26 për qind janë financuar nga autoritetet lokale dhe rajonale për shkak të ligjeve specifike të cilat mbizotërojnë në Alzas dhe departamentin Mozel në Francë, ku akoma është në fuqi Konkordati midis shtetit dhe institucioneve fetare.

Në ndërtimin e xhamisë mori pjesë edhe Maroku me 37 për qind të shpenzimeve, ndërsa Kuvajti dhe Arabia Saudite mbuluan nga 13 për qind të mjeteve të nevojshme. Në ceremoninë e hapjes së xhamisë morën pjesë edhe përfaqësues të bashkësisë fetare katolike, protestante dhe hebraike. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button