Ngjela: Meta s’u bazua në asnjë ligj që e justifikon
Avokati Spartak Ngjela i ftuar në emisionin “A Show’, në News24 ka komentuar situatën politike në vend.
Ai u shpreh i bindur se data e zgjedhjeve, 30 qershori nuk lëviz, pasi sipas tij një gjë të tillë e kërkojnë amerikanët. Avokati deklaroi se Shqipëria është një vend i tensionit të lartë politik dhe është stabilizuar vetëm pas ndërhyrjes së SHBA-ve.
Sipas Ngjelës, opozita është paralajmëruar nga të huajt se nëse do përdoret dhunë do quhen organizata terroriste ose të dhunshme, ndërsa e cilësoi opozitën si përfaqësuese e një lëvizjeje antiamerikane. Avokati tha nëse do të ndryshohej data 30 qershor, atëherë do të krijohej një precedent i rrezikshëm, pasi zgjedhjet janë të popullit dhe askush nuk mund t’i prekë ato.
Ai shtoi më tej se pas 30 qershorit, tensionet mes palëve do të jenë më të ulëta dhe gjakrat rrjedhimisht do të jenë më të ftohta. Për sa i përket çdekretimit të datës së zgjedhjeve, Ngjela deklaroi se Presidenti i Republikës, Ilir Meta, nuk u bazua në asnjë ligj që justifikon apo i jep të drejtë veprimit të tij.