Një e treta e të rinjve kanë dëshirë të zjarrtë për t’u larguar nga vendi

Sipas studimit të fundit të Fridrih Ebert një e treta e të rinjve kanë dëshirë të zjarrtë për t’u larguar nga vendi. 27 për qind kanë thënë se kanë dëshirë të dobët për të emigruar, ndërsa 26 për qind kanë thënë që s’e kanë ndërmend të largohen nga vendi. Tre arsyet kryesore për emigrimin e të rinjve nga Maqedonia janë standardi më i mirë i jetesës, mundësi më të mira për punësim dhe arsimim më të mirë, njofton Portalb.mk.

“E dhëna për përqindjen e lartë është pjesërisht e vërtetë, megjithatë nuk është e vërtetë  që të rinjtë ndërmarrin ndonjë hap përkatësisht që janë të sigurt se duan të largohen nga vendi, që do të thotë se nëse u jepet mundësia për të përmirësuar standardin e jetesës, një pjesë të madhe e tyre do të kishin mbetur”, thotë Nita Starova nga Fondacioni Fridrih Ebert.

Si probleme në shoqëri, të rinjtë, i kanë theksuar korrupsionin, padrejtësinë sociale, varfërinë, papunësinë. Ndonëse duan të arsimohen, ata mendojnë që për punësim do t’iu ndihmojnë më shumë lidhjet se sa dituria. Gjermania është përfundimisht destinacioni i preferuar për emigrim, pastaj vjen Zvicra, tregojnë rezultatet e studimit. Gati gjysma e të anketuarve janë të pakënaqur me cilësinë e procesit arsimor në Maqedoni. Një pjesë e arsyeve të pakënaqësisë mund të detektohet në perceptimin e dobishmërisë së diturive të fituara.

Të rinjtë më së shumti duan të punojnë në sektorin publik (45%) për shkak të “vendit të sigurt të punës pa frikë nga shkarkim”. Fati është ndër tre faktorët e par për të gjetur punë (në vend të parë janë “lidhjet dhe miqtë,” në të dytin “lidhjet me njerëz të fuqishëm”).

“Ata shfaqin motivim të lartë për të mësuar, por janë të shqetësuar nëse do të gjejnë punë pas përfundimit të arsimimit të tyre. Preferojnë arsimin e lartë. Për punësim mendojnë se më shumë do t’iu shërbejnë kontaktet dhe lidhjet që i kanë, se sa atë gjë ta bëjnë kualifikimet dhe arsimi i përfunduar”, ka thënë Marija Topuzovska Latkoviq nga Instituti për Hulumtime sociologjike, politike dhe juridike.

Studimi gjithashtu ka zbuluar se madje 91% e të rinjve nuk kanë qëndruar në ndonjë vend të huaj më gjatë se 6 muaj. Nëse i marrim parasysh përgjigjet në pyetjen se sa shpesh qëndrojnë jashtë vendit (1.94 – në një shkallë nga 1 kurrë deri në 5- shumë shpesh), mund të konstatohet se të rinjtë nga Maqedonia në përgjithësi rrallë udhëtojnë jashtë vendit, që do të thotë se pritjet e tyre për të jetuar jashtë vendit nuk bazohen në përvojë personale.

Deputetja Ivana Tufegxhiq, në prezantimin e konkluzioneve nga rezultatet e “Studimi për të rinjtë në Maqedoninë e Veriut” apeloi deri te ministri për arsim dhe shkencë Arbër Ademi, që sa më shpejtë t’i kushtohet vëmendje dhe të vendoset si çështje prioritare rikonstruksioni i konvikteve.

“Në buxhet ka mjete financiare të parashikuara për rindërtim të konvikteve studentore, por nuk bëhet sa duhet. Apeloj drejtpërdrejt te ministri për arsim dhe shkencë, që sa më shpejt që mundet të përkushtohet dhe ta vendosë si çështje prioritare rikonstruktimin e konvikteve”, theksoi Tufgxhiq.

Ajo vuri në dukje se rezultatet e studimit tregojnë që një kohë të gjatë institucionet kanë qenë të mbyllura për të rinjtë në procesin e hartimit të politikave.

“Pasi që qasja e tillë dekurajon, ne po krijojmë zgjidhje ligjore me përfshirjen e të gjitha palëve që pastaj në praktikë të zbatohet në mënyrë që ata do të kenë rol aktiv në proceset e krijimit të politikave”, tha ajo.

Studimi përfshin edhe të dhëna për atë se çka bëjnë të rinjtë në kohën e lirë. Edhe pse duan të jetojnë në vende të tjera, ata  kohën e tyre të lirë e kalojnë në rrjetet sociale dhe më pak në aktivizëm.

Studimi për të rinjtë i Fondacionit Fridrih Ebert u bë për herë të dytë. Analiza e parë u bë 5 vjet më parë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button