HOSHAFI

E hapa postën elektronike, veç ashtu, eh… Kur ç’të shoh… Shih, shih, bëra. Kështu shih, shih më vjen  të  bëj zakonisht kur më ndodh një e papritur. U habita, pas shumë e shumë kohësh më erdhi një mesazh  prej ish shokut tim Hoshafit (kështu i mbeti llagapi ngase lavdërohej me hoshafin që e shiste ai dhe familja e tij në pazar). Dikur ishim shokë të idealeve me Hoshafin. Bisedonim shpesh, me orë të tëra, për të kaluarën heroike dhe të ardhmen e ndritshme që e pret popullin tonë dhe e kritikonim pushtetin antishqiptar. Ndërkohë Hoshafi u tret. Pas  një a dy muajve mora vesh se kishte depërtuar  në qarqet partiake. Lart, lart. Njëfarë sekretari.

Eu bre, thashë unë, e paska ndërruar pllakën!

Jo, më thanë, shokët. Atë melodi e ka kënduar gjithmonë, po tash ti po ia dëgjon zërin, më thanë. Pa “merita” s’të bën kush sekretar…

E nuk e pashë më Hoshafin. Punët e mëdha, shoqëria e lartë…

Më erdhi çudi që m’u paraqit. Depërtuesit nuk paraqiten  nga “lartësitë”, këtu poshtë.

Më shkruante pa ato formalitete që i bëjmë ne njerëzit e rëndomtë kur i drejtohemi mikut dhe e pyesim si je, ku je:

“I mbusha tridhjetë e gjashtë vjet, u bëra skretar”, thoshte drejtpërsëdrejti. “Tash e  jetoj jetën reale. Kam dy dashnore, kam para…”.

Nuk ishte se lavdërohej. Jo, nuk lavdërohej, si dikur me hoshafin që e shiste. Të gjitha këto ishin të vërteta. I dija unë, i dinin të gjithë.

Pjesa tjetër e mesazhit kishte tjetër përmbajtje:

“Po… Jeta po kalon vetëtimthi…” shtonte. “ A thua  çka do të ndodhë me mua kur të vdes? Si do të duket ‘matanë’, në atë botë”?

Kuptohet miku im i dikurshëm tallej me mua nga pozita e lartë e forcës.

Unë, pa një, pa dy, thashë me vete:

“Mikut” duhet t’i thuhet e vërteta. Dhe, edhe unë pa formalitete, si të kam miku ime, si po kalon etj.  i shkrova:

“Hoshaf, kur do të vijë çasti ta kcesh gardhin e të dalësh matanë, në botën tjetër, do të të gllabërojë errësira absolute. Ti me krejt forcën e sekretarit që ke do të mundohesh  të kthehesh me ryshfet e me kontrabandë në luksin që ke pasur këndej, në këtë botë jallane, mirëpo para teje do të kesh male të pakapërcyeshme. Sado që të përpiqesh, sado që t’i përdorësh marifetet e shkathësitë tua të depërtimit, nuk do të mund të bësh asgjë. Nuk do të mund të kthehesh. Do të mbetesh atje. Aty do të ndjesh se trupi yt do të shndërrohet në mijëra e mijëra krimba, të cilët do të dalin në sipërfaqe për të shpëtuar. Mbi tokë i pret befasia e hidhur: pulat! Krimbat e gjorë do të mundohen pa sukses të ikin nga këto shpezë që hanë me lezet çdo gjë që u del përpara. Aty do të jenë edhe njerëzit. Ti e di sa të pamëshirshëm janë njerëzit. Njerëzit do të të mbledhin me fshesë e do të të shesin në pazarin e peshkatarëve si karrema, për të të vënë në maje të grepit që të zënë peshq me ty. Kështu ti si krimb do të futesh në barkun e ndonjë peshku fatkeq, i cili dorë pas dore do të arrijë në Bit-pazar e së andejmi do të përfundojë në fulteren e ndonjë ahmaku. Natyrisht ai do ta hajë peshkun me lezet, kurse ty do të hedhë si mbeturinë në…

“Faleminderit”, m’u përgjegj shpejt Hoshafi të nesërmen, menjëherë. “Bash më ngushëllove”, më shkruante. “E ti bëfsh hair”. Pastaj donte ta theksojë se ai nuk çante kokë për këtë ironizim që ia bëra dhe se ai ishte njëfarë “demeku” për mua, prandaj me italik,  ma ktheu me ironi: “Po gjeli? Kishe harruar të ma përmendësh gjelin, miku im…”

“Eh, Hoshaf, Hoshaf,  o shoku im i paharruar”, i shkrova, “nuk desha të ta shkruaj këtë… Ti e di se gjelat nuk dhiejnë në lule…. Gjelat dhiejnë në pleh…”.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. shume shkrim i bukur Xhabir!
    vivisekcion i politikaneve te sotem, te perzgjedhur me si kriter negativ.
    ku i gjejne, njeri me hoshaf se tjetri!?
    as turp prej njerezve, as droje nga Zoti edhe atehere kur u pe;lqen ta permendin si shpesh
    aman!
    ty miku te lumte.
    nuk eshte e kote te shkruash/shkruajme per ligesite dhe bartesite e tyre
    eshte nje nga gjerat qe duhen bere, doemos
    se (edhe) keshtu sherohet shoqeria

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button