Cakaj vazhdon angazhimin në Paris për hapjen e negociatave për Shqipërinë
Ministri i Shqipërisë për Europë dhe Punë të Jashtme, Gent Cakaj, sot ka takuar Sekretaren e Shtetit për Çështjet Evropiane të Francës, Amelie De Montchalin.
- LEXO: Presidenti Pendarovski për datën i kërkoi Brukselit: Na ndani nga Shqipëria
- LEXO: Bushati e kundërshtoi Pendarovskin: Ndarja do të ishte gabim strategjik për BE-në
“Në takim ndamë bindjen se rritja e angazhimit të BE-së në përgjithësi dhe Francës në veçanti është shumë e rëndësishme për zhvillimin e mëtejmë të Ballkanit Perëndimor. Sidoqoftë, angazhimi i shtuar i vendeve anëtare nuk do të thotë zëvendësim për procesin e zgjerimit të BE-së në rajon”, ka shkruar diplomati Cakaj në Facebook.
Gjatë takimit Cakaj ka thënë se Shqipëria ka plotësuar të gjitha kriteret për hapjen e negociatave dhe se kjo është e rëndësishme edhe për vet BE-në, transmeton Klan Kosova.
“Sidomos në rrethanat aktuale, hapja e negocitave për anëtarësim me Shqipërinë nuk është e domosdoshme vetëm për faktin se Shqipëria tashmë ka përmbushur të gjitha kushtet e nevojshme teknike, por edhe jetike për ta ruajtur besueshmërinë e vetë politikave të zgjerimit të BE-së”.
“Përndryshe, tashmë jemi në prag të operacionalizimit të mbështetjes së Agjencisë Franceze për Zhvillim për Shqipërinë! Natyrisht, Shqipëria është shumë mirënjohëse për mbështetjen e vazhdueshme të Francës në një numër të konsiderueshëm fushash sektoriale”.