“Shqipëria ka bërë përparim në zbatimin e reformave”

Në fjalën e tij, Cakaj tha se bashkëpunimi me Sllovakinë është forcuar dhe pritet të zhvillohet edhe më tej, raporton Anadolu Agency.

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj priti në një takim kryetarin e radhës së Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Sllovakisë, Miroslav Lajçak i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Tiranë.

Në përfundim të takimit, Cakaj dhe Lajçak mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat, ku Cakaj tha se bashkëpunimi me Sllovakinë është forcuar dhe pritet të zhvillohet edhe më tej.

“Ne kemi diskutuar shumë çështje që ndërlidhen me transferimin e kryesisë nga ajo sllovake tek ajo shqiptare dhe me axhendën bilaterale mes dy vendeve. Shqipëria është duke bërë përgatitjet e nevojshme për një kryesim cilësor të OSBE në vitin 2020”, u shpreh Cakaj.

Duke folur për marrëdhëniet mes dy vendeve, Cakaj tha se me ministrin Lajçak diskutuan edhe për marrëdhëniet bilaterale mes Shqipërisë dhe Sllovakisë, ku sipas tij shumë shpejt do të mblidhet komisioni i përbashkët ekonomik midis dy vendeve për thellimin e bashkëpunimit në fushën tregtare dhe ekonomike. Një temë tjetër diskutimi vijoi më tej Cakaj, ishte edhe për mundësinë e hapjes së negociatave në qershor për anëtarësim në BE.

“Ministri Lajçak ka pasur gjithmonë një qasje konstruktive dhe e ka mbështetur hapjen pa kushte të negociatave për Shqipërinë, bazuar në meritat që ka arritur Shqipëria me theks të veçantë reformën në drejtësi”, nënvizoi Cakaj.

“Axhenda progresive e Shqipërisë do të vazhdojë pa asnjë diskutim përkundër sjelljeve të dhunshme që mund të karakterizojnë Tiranën ditët e fundit dhe që mund të shtohen. Zgjedhjet do të mbahen me 30 qershor pa asnjë diskutim dhe nuk ka forcë që i ndalon ato” u shpreh më tej Cakaj, duke folur për zhvillimet politike në Shqipëri.

Ndërsa ministri Lajçak në fjalën e tij tha se në vitet e shkuara Shqipëria ka bërë përparim në zbatimin e axhendës strategjike të reformave, forcimit të institucioneve demokratike, shtetit ligjor dhe lirinë e medias.

“I inkurajoj autoritetet të vazhdojnë përpjekjet e rëndësishme të reformave, sidomos në fushën e gjyqësorit, shtetit ligjor, krimit të organizuar, reformës elektorale dhe lirisë së medias. Shpejtësia, efikasiteti dhe qëndrueshmëria e reformave varet nga vullneti i të gjithë aktorëve politik në Shqipëri. Institucionet e forta me një Parlament efikas në themel janë gurët themelor të demokracisë dhe janë të qenësishëm për stabilitetin politik dhe shtetin ligjor”, deklaroi kryediplomati sllovak.

Sipas tij, përshkallëzimi i dhunës gjatë protestave të drejtuara nga opozita “është bërë e mërzitshme”. “Në demokraci ka rëndësi dëgjimi i zërave kritik dhe se protestat paqësore janë një e drejtë themelore që duhet respektuar. Dallimet duhet të debatohen në Parlament me të gjithë përfaqësuesit, përfshirë dhe opozitën. Përshkallëzimi i dhunës gjatë disa protestave të drejtuara nga opozita është bërë e mërzitshme. Trazirat nuk duhet të zëvendësojnë angazhimin demokratik, ato heqin çdo shans për dialog. Vazhdimi protestave të dhunshme do të dëmtojë përpjekjet e Shqipërisë për reformat. Zgjidhja gjendet përmes dialogut”, u shpreh Lajçak.

Duke folur për vendimin e opozitës për djegien e mandateve parlamentare, Lajçak theksoi se është për “të ardhur keq, pasi demokracia kërkon kontrolle dhe balancim dhe opozita ka një rol të rëndësishëm”. Ministri i Jashtëm i Sllovakisë do të takohet edhe me zyrtarë të tjerë të vendit.

LEXOPresidenti Meta takim zyrtar me Presidentin e OSBE, Miroslav Lajcak

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button