Limaj i zhgënjyer nga Thaçi: Nuk shkon më kështu

Nënkryetari i Partisë Demokratike (PDK), ish-ministri i Transportit, Fatmir Limaj nuk ka kursyer kritikat ndaj kreut të partisë, kryeministrit Hashim Thaçit, lidhur me mënyrën si po e menaxhon partinë, por edhe për mënyrën si po e menaxhon shtetin.

“Nuk udhëtohet presidenti dhe kryeministri i shtetit në një vend, ngase ata secili prej tyre e përfaqësojnë shtetin. Këtë më mirë duhet ta dijë protokolli i shtetit i cili është i ngarkuar me një gjë të tillë”, ka thënë Limaj në një debat televiziv në Klan Kosova.

Duke diskutuar përbërjen e gjerë prej 50 vetash të delegacionit të Kosovës në New York, Limaj u shpreh se kjo është e panevojshme, “ngase atje nuk do të ndodhë asgjë me rëndësi për Kosovën”.

Limaj ka qenë kritik veçanërisht rreth mënyrës si po menaxhohet partia. Ai është shprehur se takimi i fundit vjen me një vonesë prej një vit e gjysmë.

“Kritika kryesore ka qenë pse nuk është mbledhur kryesia për një vit e gjysmë”, ka thënë Limaj, duke shtuar se qëndrimet e partisë ndërtohen në kryesi dhe jo gjetkë.

Sipas Limajt, dikur partia ka qenë më e disiplinuar, por kjo nuk po ndodhë edhe tani. Për këtë, ai ka fajësuar drejtpërdrejt kreun e partisë, Hashim Thaçin.

“Pse nuk jemi të mbledhur duhet ta pyesni kryetarin e partisë”, ka deklaruar ai, duke shtuar se ”tani e tutje nuk mund të vazhdohet kështu”.

“Natyrisht jam i zhgënjyer në kryetarin e partisë, i cili nuk e ka mbledhur kryesinë, kur dalin njerëz të cilët flasin në emër të partisë, pa pasur një qëndrim të kryesisë së partisë. Ne kemi përgjegjësi ndaj votuesve, prandaj askush nuk mund të flasë në emër të partisë pa pasur një qëndrim zyrtar”, ka thënë Limaj, duke theksuar se në PDK duhet të ketë më shumë demokraci të brendshme.

Ai është shprehur se lufton që PDK të jetë “jo vetëm parti liderë me vota, por parti lidere edhe me demokraci”./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button