Ashton do të takojë Clintonin, Thaçin e Nikoliqin për dialogun

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton do të zhvillojë takime me sekretaren amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarin e Serbisë, Tomisllav Nikoliq për dialogun Kosovë-Serbi. 

Njoftimi për këtë bëhet i ditur nga agjencia serbe e lajmeve “Beta”, e cila thirret në burime të BE-së, që dëshirojnë të mbesin anonime. 

Sipas të njëjtave burime, përfaqësuesja e lartë e BE, Catherine Ashton, edhe deri më tani ka zhvilluar kontakte me zyrtarë të Serbisë dhe Kosovës dhe ata amerikanë për zgjidhjen e problemeve në veri. 

Zyrtari i lartë evropian citohet t’i ketë thënë agjencisë “Beta” se përfaqësuesja e lartë e BE-së, Catherine Ashton nuk bënte dallim mes dialogut teknik dhe atij të nivelit të lartë politik, pasi ky dialog edhe ashtu deri më tani ishte zhvilluar nën patronazhin e saj. 

Mediat serbe, ndryshe shkruajnë se ende nuk është e qartë mënyra dhe forma e dialogut politik për të cilin po flitet këtyre ditëve. 

Megjithatë mediat nënvizojnë faktin se zyrtarët evropianë dhe amerikanë konsiderojnë se kryeministri Hashim Thaçi është personi më i duhur për të takuar zyrtarët e lartë të Serbisë, në mënyrë që dialogu të ketë sukses. 

Burime në Bruksel thonë se po pritet që të përfundojnë punimet e Asamblesë së Përgjithshëm të OKB-së, që të dihet rrjedha e mëtejme lidhur me dialogun e pritur dhe të përfolur Kosovë-Serbi./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button