Danaj: Avramopullos pronazist sikur ‘Agimi i artë’

Kryetari i Listës për Shqipëri Natyrale, Koço Danaj ka reaguar lidhur me fjalimin e ministrit të jashtëm grek Avramopullos dhe akuzat e tij ndaj Shqipërisë.

Sipas Danaj, ministri i jashtëm grek në qëndrimin ndaj Shqipërisë, foli me të njëjtën gjuhë që kanë folur dhe flasin neonazistët e “Agimit të Artë”.

“Ministri i jashtëm grek e konsideroi të mbyllur çështjen e kufirit detar, pasi sipas tij ajo është diskutuar njëherë. Por “Demokrati”  fallco Avramopullos,  harroi se në shtetet demokratike, ajo që flet e fundit është Gjykata Kushtetuese. Dhe Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e konsideroi nul  çfarë ishte biseduar dhe firmosur. Dhe përsëri, në një shtet demokratik, kur vendos Gjykata Kushtetuese, të gjithë heshtin. Ashtu sic heshti qeveria gjermane, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Gjermanisë lidhur me problemin e  euros”, theksoi Danaj. 

Danaj vazhdoi më poshtë se Avramopullos, frymën e tij pronaziste përballë shqiptarëve e shfaqi kur e konsideroi alarmante  gjoja rritjen e frymës  ekstreme nacionaliste në Shqipëri.  

“Ai harroi të thotë në Parlamentin grek se sot e “Sëmura” e rajonit quhet Greqi. Prandaj edhe partia neo-naziste greke Agimi i Artë, është në Parlament dhe ka rritje të popullaritetit të saj. Në Shqipëri nuk ka rritje të ekstremizmit nacionalist, por ka rizgjim të frymës  atdhetare dhe kjo është një tipar i demokracisë. Në Shqipëri, ka 7 deputetë grekë në Parlament dhe dy ministra grekë në qeveri. Ku është këtu fryma nacionaliste. Përkundrazi, ka me tepricë respekt të minoriteteve”, ka deklaruar më tej Danaj. 

Sipas tij, në Shqipëri janë rritur dhe do të rriten akoma më shumë tonet në të ardhmen lidhur me territoret Shqiptare në Çamëri, lidhur me Filatin, Prevezën, Gumenicën, Artën etj. 

“Dhe nëqoftëse  dëshiron ministri  i jashtëm grek edhe për Morenë ose Peloponezin e sotëm, që dikur ka qenë i populluar nga shqiptarë. Por në të gjitha rastet, shqiptarët këto I kanë ngritur dhe vazhdojnë ti ngrënë si problem që kanë nevojë të zgjidhen me bisedime dhe me paqe. Shqiptarët kërkojnë që me bisedime, Camëria të shpallet fillimisht Zonë e Lirë midis Shqipërisë dhe Greqisë. Shqiptarët kërkojnë që me bisedime, parlamenti grek të heqë Ligjin e Luftës me Shqipërinë, pasi ky Ligj absurd, rrezikon, jo Shqipërinë, por rrezikon të shkatërrojë vetë Greqinë”, ka shtuar Kryetari i Listës për Shqipëri Natyrale.

Sipas Danaj: Avramopullos, në fjalimin e tij duhet tu kërkonte falje shqiptarëve për aktet naziste të Agimit të Artë dhe të kërkonte nxjerrjen jashtë ligjit të kësaj krijese neonaziste. Por duke qenë në shpirt edhe vetë neonazist, Avramopullos, sulmoi shqiptarët.

Lista për Shqipëri Natyrale ju bën thirrje, mendjeve të ftohta të politikës greke, nëqoftëse kanë mbetur, që  të ndryshojnë kursin e marrëdhënieve ndaj Shqipërisë, të heqin dorë nga kërcënimet gjoja me bllokimin në BE. (BE ka vdekur, zoti ministër, ju jeni shëmbëlltyra më e qartë e vdekjes së saj. Në vend të BE do ti lindë, Federata e shteteve Europaine, ku Shqipëria  Natyrale do të ketë vendin e saj të merituar). Ata duhet të diskutojnë me shqiptarët cështjet kufitare që kanë mbetur pezull që nga viti 1912. Vetëm kështu, politika greke mund të konsiderohet demokratike. Në të kundërtën, në vend të një partie neonaziste, nesër, do të krijohet në Greqi, një Qeveri Neonaziste. Dhe në një rast të tillë, shqiptarët do të dinë të jenë që të gjithë antinazistë. 

Lajme të ngjashme

Back to top button