Kosovë, Hetime për skandalin e hotelit “Grand”

Prokurorë vendas dhe ndërkombëtarë hetojnë të gjithë personat e përfshirë në aferën e hotelit Grand në Prishtinë. Çështja e cila nisi me privatizimin e Grandit, përpjekjet për t’i ndarë aksionet me marrëveshje të brendshme e deri te mos përmbushja e detyrimeve nga blerësi duket se do të bëhet objekt gjykate.

Burimet zyrtare brenda Prokurorisë së Shtetit, në kushte anonimiteti konfirmuan se Prokuroria e Qarkut në Prishtinë, e mbështetur nga ajo e EULEX-it, është në fazën e grumbullimit të informatave. Në bazë të fakteve që mblidhen brenda një kohe të shkurtër nxirret vendimi për nisjen zyrtarisht të hetimeve.

Jo zyrtarisht thuhet se mediat me përpjekjet e tyre për të mësuar informacione për këtë rast po e pengojnë procesin hetimor. Kjo është arsyeja e mos deklarimit zyrtar të prokurorisë lidhur me rastin.

Nga ana tjetër pavarësisht bujës që ka shkaktuar kjo ngjarje në Kosovë, prokuroret e EULEX-it nuk komentojnë fare për këtë.

Zëdhënësi i këtij misioni, Blerim Krasniqi tha shkurt se prokuroret ndërkombëtare nuk e komentojnë rastin, duke mos e mohuar apo pohuar lajmin për hetimin në fjalë, transmeton TCH.

Teksa në këtë lëndë gjyqësore pa dyshim është edhe emri i Behgjet Pacollit, ky i fundit ka kritikuar ashpër prokurorinë se nuk po deklarohet publikisht, por sipas tij po lejon që opinioni të manipulohet opinionin dhe me deklarata jo zyrtare.

Aleanca Kosova e Re, përmes një komunikate shpreh zhgënjimin siç thuhet me punën dhe efikasitetin e institucioneve të rendit dhe ligjit, në raport me menaxhimin e situatës me rastin e “Grandit”.

Çështja e Grandit u bë teme debati edhe në Kuvendin e Kosovës. Ishte deputeti i PDK-së, Halit Krasiniqi i cili kërkoi dorëheqjen e Pacollit. Duket se duke ju referuar kësaj deklarate, AKR-ja deklaron se tendencat për ta politizuar çështjen po krijojnë konfuzion në opinionin publik. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button