Jahjaga: S’kemi marr instruksione për dialog

Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga ka mohuar se kanë marrë instruksione në New York për nisjen e dialogut politik mes Kosovës dhe Serbisë, por, ajo ka vlerësuar se dialogu është mënyra më e mirë për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Ajo ka thënë se unitetit i spektrit politik në vend ka ekzistuar gjithmonë kur është bërë fjalë për interesat nacionale të Kosovës, ndërsa ka përmendur edhe vijat e kuqe të cilat i ka Kosova për çështje të brendshme, të cilat nuk i diskuton me asnjë shtet, e në veçanti me Serbinë.

Ajo këto komente i bëri gjatë një konference për media të martën në lidhje me Samitin Ndërkombëtar të Gruas që do të mbahet më 4 tetor me temën: “Partneriteti për ndryshim – fuqizimi i gruas”, njofton KP.

Presidentja e vendit, e pyetur nga mediat se çfarë instruksione ka marr delegacioni i Kosovës në New York në lidhje me fillimin e dialogut politik mes Kosovës dhe Serbisë ajo ka mohuar të kenë marr instruksione, por, sipas saj ,dialogu duhet të vazhdoj si dy shtete fqinje.

“Instruksione nuk ka pasur, por ne siç kemi deklaruar herëve të tjera dialogu, procesi i dialogut vetëm ka filluar nga viti i kaluar dhe është arritur një sërë i marrëveshjeve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Dialogu jo vetëm që është mënyra më e mirë të themi, por është mënyra e vetme që ne si dy shtete që kemi pasur një të kaluar nuk ka qenë edhe aq e lehtë duhet të ndërtojmë një të ardhme që është në funksion të mirëqenies së qytetarëve tanë në të dyja anët e kufirit pastaj kontribuon paqes dhe stabilitetit në rajon dhe i kontribuon fqinjësisë së mirë dhe gjithsesi i kontribuon edhe rrugës evropiane për të dyja shtetet tona”, ka theksuar Jahjaga.

Për më tepër, ajo ka shtuar se Kosova i ka përcaktuar qëndrimet e veta të cilat janë të qarta se në këtë proces do të paraqitet si shtet i pavarur, si shtet sovran, ndërsa varet nga shteti tjetër se si dëshiron paraqes vetveten.

E para e vendit ka thënë se është ende herët të flitet se kush do të udhëheq ekipin dialogues të Kosovës, por ajo ka thënë se nëse bëhet fjalë për interesin e shtetit të Kosovës, ajo mund të udhëheq këtë dialog.

“Ende nuk është përcaktuar dhe mund të them se është shumë herët të spekulojmë për aspektin e grupeve kush do të jetë në këto ekipe kush mund të bisedoj dhe kush mund të dialogoj. Por unë e kam thënë edhe herëve të tjera se si presidente e Republikës së Kosovës jam e gatshme të takohem me çdo homolog timin gjithmonë duke pasur parasysh dhe duke ju përmbajtur Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës dhe si dy shtete të barabarta”, ka thënë presidentja Jahajga.

Në lidhje me paralajmërimet e baroneshës Catherine Ashton, e cila ka thënë se Prishtina dhe Beogradi duhet të përgatiten për vendime të vështira, presidentja ka thënë se Kosova i ka vijat e kuqe të cilat nuk i diskuton me asnjë shtet./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button