Reformat për ne, e jo për datë për negociata me BE

Ambasadori francez Kristijan Timonie thotë se Franca mbështet fuqishëm integrimin e Maqedonisë në BE, por që për shkak të sfidave me të cilat po përballet BE-ja nuk mund të thotë se kur Ballkani Perëndimor do të bëhet pjesë e BE-së. Persona mirë të informuar thonë se vendi s’ka qenë kurrë më afër datës për negociata.

Ambasadori francez në vend Kristijan Timonie siguron se Franca i mbështet përpjekjet tona euro-atlantike dhe se pavarësisht përshtypjes se Franca është një nga vendet më skeptike lidhur me zgjerimin e Bashkimit, në fakt ajo dëshiron që Ballkani Perëndimor të jetë pjesë e Bashkimit. Në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, që do ta transmetojë të dielën, ai shpjegon që perceptimi se Franca i kundërvihet anëtarësimit tonë në Bashkim duhet të ndryshojë, përcjell Portalb.mk.

“Edhe në samitin e Berlinit, presidenti Makron e shpalli strategjinë e tij për ri-investim të Francës në Ballkan dhe me këtë dëshmojmë se jo vetëm që nuk e kundërshtojmë, por që me të gjitha vendet e këtij rajoni duam të punojmë në integrimin evropian të rajonit, megjithatë kur të vjen koha. Kur është ajo ditë? Për momentin kemi një pengesë jashtëzakonisht të madhe. E keni përcjellë gjithçka që ka ndodhur me Bregzit dhe as ne s’e dimë vetë kur dhe nëse ky shteti i madh anëtar do të dalë nga Bashkimi apo jo. E patë se si ne s’e dimë se sa deputetë do të ketë në parlament sepse mendoj që nuk duhet të nënvlerësohen vështirësitë e mëdha që do të nevojiten për të ridefinimin e Bashkimit për shkak të Bregzitit, por edhe për shkak të marrëdhënieve të ndërlikuara të vendeve brenda Bashkimit me vendet e Evropës qendrore dhe lindore në aspekt të shtetit ligjor dhe krejt kjo ngre pyetje te opinioni publik lidhur me momentin dhe shpejtësinë e zgjerimit “, thotë ambasadori Timonie në një intervistë me REL.

Ai megjithatë, nuk tregon nëse vendi është i gatshëm për datë për fillim të negociatave në Këshillin e Ministrave të BE-së në qershor dhe shton se në këtë drejtim së pari pritet raporti i Komisionit Evropian, i cili do të japë një pasqyrë mbi progresin e reformave, veçanërisht në fushat që kanë të bëjnë me sundimin e të drejtës dhe vetëm pas kësaj të gjitha shtetet anëtare do ta vlerësojnë situatën reale në lidhje me atë përparim.

Simonida Kacarska, drejtoreshë ekzekutiv i Institutit për politikë evropiane, thotë se është përgjegjësia jonë për të bërë lobim te vendet anëtare që janë skeptik për anëtarësinë tonë dhe ta shpjegojmë rastin tonë, se përse duhet të fillojnë negociatat.

“Mendoj se implementimi i Marrëveshjes së Prespës, me ligjet në gjyqësor si dhe lufta kundër korrupsionit, qeveria ka rast solid për ta paraqitur para vendeve anëtare. Nga ana tjetër, qershor është specifike për shkak të ngushticës që krijohet në lidhje me publikimin e raportit të 29 majit, por ne s’kemi zgjidhje tjetër, përveç se të nxisim vendet skeptike që sa më shpejt që është e mundur të miratojnë atë vendim”, thotë Kacarska.

Kacarska shton se varianti për të mos marrë datë në qershor ekziston, por pastaj duhet të bëhet lobim që kjo të ndodhë në korrik ose më së voni në shtator. Por, ajo vë në dukje realitetin se vendi s’ka qenë kurrë më afër datës për negociata.

“Vërejtje do të ketë gjithmonë, nga ana jonë gota gjithmonë do të paraqitet si gjysmë e plotë, se sa më shumë e zbrazët, megjithatë mendoj se janë ndërmarrë hapa vendimtarë, si kontesti me Greqinë dhe në fund të fundit duhet t’i përkujtojmë vendet anëtare që fillimi i negociatave është në fakt fillimi i mbështetjes më të madhe nga Komisioni në proceset transformuese. Kjo nuk do të thotë anëtarësim, për të cilin e dimë se ka qëndrime të ndryshme brenda Bashkimit, por donë të thotë angazhim më i madh në mënyrë që ne brenda t’i përmbushim standardet e nevojshme për një shtet anëtar”, përfundon Kacarska.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button