Protesta e studentëve në Prishtinë, 9 në pranga

Protesta e sotme e drejtuesve të Parlamentit të Studentëve dhe të shumë studentëve të tjerë, kundër menaxhmentit politik të Universitetit të Prishtinës, ka rezultuar me arrestimin e nëntë prej tyre dhe shoqërimin e tyre për në stacionin policor, ku janë duke u intervistuar.
 

Zyrtarja për informim në Policinë rajonale, të Prishtinës, Flora Ahmeti, tha se protestuesit janë duke u intervistuar dhe deri më tani ende nuk është vendosur nëse do të mbahen më tej apo do të lirohen.
 

Sipas saj, nëntë të arrestuarit po mbahet me arsyetimin se e kanë prishur rendin dhe qetësinë publike si dhe nuk i kanë respektuar urdhrat e personit zyrtar të policisë.
 

Një numër i madh studentësh kanë protestuar para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, “Hasan Prishtina” , në shenjë kundërshtimi ndaj udhëheqjes së re të universitetit. Studentët kanë thënë se e gjithë udhëheqja e re në këtë institucion është politike, duke shtuar se shumë emërime në Universitet janë bërë në saje të prapavijës politike të të përzgjedhurve.

Prej sot në krye të Rektoratit do të jetë Ibrahim Gashi, kurse prorektorë të zgjedhur deri më tani janë Nuri Behxheti dhe Lindita Tahiri.

Gjatë ditës së sotme, e cila edhe shënon vitin e ri akademik, rektori i deritanishëm, Mujë Rugova, ia dorëzoi detyrën rektorit të ri, Ibrahim Gashi, në sallën e Senatit në Rektoratin e UP-së, ku ishin të pranishëm personalitete nga politika, kultura dhe shkenca, dhe ambasadorë të vendeve të ndryshme.

Lajme të ngjashme

Back to top button