PLAKA, PLAKU DHE ENGJËLLUSHA

Një natë e shurdhër dhe e gjatë, e gjatë. Kanë reshtur zëret e njerëzve, as  ushtima e lumit nuk dëgjohet. Asgjë s’pipëtin. Njeriu i vetëm në fshat që nuk fle është një grua. Një nënë. Mendimet e saj shkojnë larg prapa. Njëzet e ndoshta edhe tridhjetë vjet. Do të kisha dashur, thotë nëna, së paku, një qen të lehte, ta prishte monotoninë e heshtjes, të kësaj heshtjeje të gjatë e të rëndë  që u hap shtegun kujtimeve të cilat në formë fjalësh parakalojnë nëpër  kujtime. Dhe, një kujtim bëhet shumë i zëshëm:

Nga dera e madhe, me një valixhe të vjetër, del i biri i saj i vetëm. Dera e madhe mbetet hapur, kurse nëna e përcjell derisa i biri tretet në kthesën e parë. Dhomën e saj e pushton pikëllimi.

Nëna don të shkruajë se çfarë ndjenjash e mundojnë tash, po nuk di e shkreta. Shpirti i saj i rënduar nga pikëllimi nuk mund të qajë me zë. Vetëm lotët i rrjedhin si lumi, pa pushim.

Në kopshtin e saj më nuk mbillen lule. S’ka nëna pse të mbjellë lule, ngase ajo mendon se lulet lidhen me shpresat. Çfarë shprese mund të kishte nëna tash kur i biri i vetëm i shkoi në kurbet, kur duhej të martohej dhe të mbushet vatra me fëmijë. Çfarë shprese mund të ketë tash kur i biri për aq vite nuk u kthye.

Nata e shurdhër e lë nënën e molisur. Pastaj shkon e vendoset në shtëpinë e fqinjëve.  Vazhdon herën tjetër në një shtëpi tjetër, në tjetrën, në tjetrën dhe përfundimisht e pushton tërë fshatin, duke i lënë edhe nënat tjera me duar në gji. Ndoshta edhe më keq. Sepse tash edhe vajzat ikin me një valixhe e nuk kthehen më. Tash të gjitha nënat e provuan hidhëtinë në lëkurë të vet. Dhe, peshën e natës së shurdhër.

Sa do të kishin dashur nënat e shkreta të bëhen gjyshe, t’i përkundnin nipat e mbesat dhe t’u këndonin shqip.

Dalin nënat, tash plaka, në kopsht. Aty dëgjohet vetëm ndonjë harabel në degët e pemëve që kanë nisur të thahen. Nënat mendojnë: ah sikur t’ia tregoja zogut se çfarë djege kam në zemër, ta shohë zogu e të shkojë në dritaren e djalit e të vajzës sime t’i tregojnë se nëna vazhdon të presë të kthehen.

*               *               *

Në një bangë të parkut rri një plak. Një grua e re shet lule pak më tutje. Te plaku fryn një erë e lehtë, i lëviz gjethet e drurëve të parkut. Luajnë  rrezet e diellit që depërtojnë te banga e tij kur i largon era gjethet. Sillet rreth plakut edhe një vashë e vockël. Duket shumë kurreshtare dhe lozonjare.

  • Si quhesh, moj bukuroshja e vogël? e pyet plaku.
  • Engjëllushë, – përgjigjet voglushja.
  • Po sa vjeç je moj bijë?
  • Kam katër vjet… Tash do ta kem ditëlindjen e do t’i bëj shtatë vjet. Mami do të më blejë dy krem banane për ditëlindje.
  • Katër vjet paske e do t’i bësh shtatë?
  • Po! – thotë vajza dhe i shkëlqejnë sytë.
  • Sa mirë, – thotë plaku dhe ndjehet keq. – Dy krem banane!

Vajzës vazhdojnë t’ishkëlqejnë sytë. Ndjehet shumë e lumtur për dy krem banane. Ndërkaq plakut i dhembset kjo voglushe lozonjare, të cilës, mendeon plaku, aq shumë i shkon emri që ka, po që gëzohet me dy çokollata të imta e të lira.. Këto ditë, mendo ai, do ta marr  pensionin dhe do t’i sjell Engjëllushes një kuti të madhe me krem banane. T’i gëzohet ditëlindjes shumë. Po ku do ta gjente vajzën? Prandaj e pyet voglushen:

  • Po ku është mami yt, Engjëllushë?
  • Ja ku është. Kjo që shet lule është ime nënë, – thotë e buzëqeshur vajza e vogël.

Prandaj,mendon plaku, vajza u gëzohet  dy krem bananeve për ditëlindje. Pasi shet lule në park, qenkan njerëz të varfër. Aq mund të fitohet nga shitja e luleve në këtë qytet. Sa për dy krem banane. Kjo u pa edhe nga teshat e vajzës së vogël, tesha të vjetra. Pastaj plaku ia jep notit nëpër detin e kujtimeve. Ndoshta i kujohet fëmijëria e vet. Ku ta dish. Pastaj nga të dy sytë i rrokulliset nga një pikë loti, duke lënë nga një vijë faqeve të rruara me kujdes.

  • Mos qaj xhaxhi! – i thotë vajza dhe e prek plakun në sup butas me dorën e vockël.
  • Mos qaj!
  • Kur të m’i blejë nëna dy krem banane, unë do të ta jap njërën…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button