Punë gjatë fundjavës vetëm nëse është e domosdoshme dhe për më shumë para

Ditët e fundjavës të jenë ditë për pushim javor, kurse nëse punohet të paguhen sikur festa, kërkojnë nga Lidhja e sindikatave. Nga Organizata e punëdhënësve thonë se disa degë nuk mund të ndërpresin procesin e punës të dielën, por se atëherë, orët e punës duhet të paguhen më tepër, njofton REL.

Që punëtorët të sigurojnë balancim ndërmjet familjes dhe punës, dita e shtunë dhe e diel të jenë ditë pushimi gjatë javës. Ky është një nga propozimet e Lidhjes së sindikatave në kuadër të aktiviteteve për ndryshime të ligjit për marrëdhënie të punës. Krahas propozimeve tjera për avancimin e legjislacionit të punës, nga Sindikata konsiderojnë se ditëve të fundjavës, punëtorët duhet të pushojnë.

“Nëse janë në punë, kjo duhet t’u kompensohet si mëditje për punë gjatë festave, përkatësisht si ditë e pushimit javor, megjithatë kjo të mos bëhet me ditë të lirë gjatë javës, por dita e shtunë dhe e diel të paguhen si ditë feste”, thotë Ivan Peshevski, zëvendës kryetar i Sindikatës për ndërtimtari pranë LSM.

Kryetari i Organizatës së punëdhënësve Angell Dimitrov thotë se ligji për marrëdhënie të punës në nenin 134 paragrafi (2) përcakton që si ditë e pushimit javor mund të jetë edhe ndonjë ditë tjetër e javës, kurse me atë u lejohet punëdhënësve që me akt intern të vendosin cila ditë e javës do të konsiderohet si ditë për pushim gjatë javës.

“Ligji për marrëdhënie të punës thotë se orari i rregullt i punës në javë është 40 orë. A do të jetë kjo 6 ditë pas gjashtë orëve e gjysmë ose do të jetë pesë ditë me nga tetë orë pune, e njëjtë është. Ata të cilët punojnë pesë ditë nga 8 orë, kurse punon edhe të shtunën, atëherë dita e shtunë duhet t’u paguhet 35 përqind shtesë më tepër kompensim”, thotë njeriu i parë i Organizatës së punëdhënësve Angell Dimitrov.

Ai thekson se punëdhënësi ka për obligim të paraqet punë jashtë orarit të punës me qëllim që shërbimet inspektuese të kontrollojnë nëse janë paguar të gjitha detyrimet kur janë paguar pagat. Urdhëresat dhe aktet ligjore janë të mira, por ana e dobët është në zbatimin e tyre në praktikë, pohon Dimitrov.

Në vendin tonë ende nuk është i njohur trendi botëror i reduktimit të javës së punës, e me qëllim për të rritur produktivitetin e punëtorit. Dhe derisa në disa vende ka edhe ndalesë për punë në ditën e diel, tek ne pjesa dërmuese e objekteve hotelerike, e qendrave tregtare realizojnë profitin më të madh gjatë ditëve të fundjavës.

“Nuk është problem edhe e diela të jetë ditë jo pune me kusht që mos të anashkalohet ligji, kurse punëtori t’i pranojë të gjitha kompensimet që i takojnë për atë punë. Mirëpo, dallimet nga një degë në tjetrën janë të mëdha. Ja, kemi procese teknologjike të cilat nuk mund të ndërpriten të dielën. Për shembull, në industri të bitumit, nëse nuk mirëmbahet procesi, nëse bitumi forcohet, do të ketë probleme dhe humbje tepër të mëdha. Donë të thotë varet nga secila degë si do ta organizojë orarin e punës, por çdo punë jashtë orarit duhet të paguhet”, thekson Dimitrov.

Me këtë pajtohet edhe Peshevski, i cili thekson që në drejtim të mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve, Lidhja e sindikatave angazhohet punëtorët të cilët punojnë të shtunën dhe të dielën të marrin pagë më të madhe.

“Të mos harrojmë se punëdhënësit të cilët kënaqen me familjet e tyre gjatë fundjavës, punëtorët punojnë për llogari të tyre. Nëse punojnë, kjo duhet të paguhet në mënyrë përkatëse. Jo të nënkuptohet se puna të shtunën dhe të dielën do të jetë për të njëjtin çmim, sikurse për dikë i cili pushon. Pra nuk kërkojmë asgjë ekstra, por vetëm e shtuna dhe e diela të paguhen si ditë festash”, thekson Peshevski.

Disa hulumtime tregojnë se stër-ngarkesa me punë rezulton me probleme shëndetësore, kurse puna jashtë orarit të punës krijon disbalans ndërmjet karrierës dhe kujdesit për familjen.

Përndryshe, në shtetet e rajonit aktuale është ideja që me ligj të shpallet e diela si ditë jo pune për objektet tregtare, me çka punonjësit në këtë sektor do të kenë më shumë kohë të kalojnë me familjet e tyre, e do të jenë edhe më produktiv në kryerjen e obligimeve të punës. Praktika e këtillë tash më ka filluar të aplikohet në Greqi, ku ditën e diel objektet tregtare nuk punojnë. Mali i Zi, në anën tjetër së shpejti pret të miratojë ligj me të cilin ditën e diel do ta shpallë si ditë jo pune për tregtarët, megjithatë autoritetet e Malit të Zi nuk planifikojnë t’i mbyllin të gjitha objektet tregtare ditën e diel.  Nismë e ngjashme është parashtruar edhe në Serbi nga ana e Sindikatës së pavarur për tregti.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button