Ambasada në RMV e publikoi Strategjinë e Francës për Ballkanin, ja çfarë përmban (FOTO)

Në kuadër të Samitit të Berlinit, të organizuar nga presidenti i Francës, Emanuel Makron dhe kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, Franca ka publikuar strategjinë e saj për Ballkanin Perëndimor e cila thekson rëndësinë e pajtimit, fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal, transmeton Portalb.mk.

Mes tjerash në Strategji, thuhet se: “Nevojiten reforma të shumta, që t`i mundësohet rajonit që të stabilizohet përgjithmonë dhe t’i përgjigjet sfidave me të cilat ballafaqohet, politike (mosmarrëveshje të pazgjidhura, edhe pse Marrëveshja e Prespës paraqet një përparim të dukshëm dhe një shembull të dialogut rajonal), çështjet ekonomike dhe sociale, vështirësi gjatë vendosjes së përhershme të sundimit të ligjit, çështjet e sigurisë dhe ndikimet e jashtme që devijojnë rajonin nga perspektiva e tij evropiane”, thuhet në dokumentin e strategjisë së Francës për Ballkanin të publikuar nga Ambasada e Francës në Republikën e Maqedonisë së Veriut (RMV).

Siç njoftojnë nga Ambasada, në strategji parashihet që:

– Franca  të intensifikojë marrëdhëniet e saj politike me vendet e rajonit.Presidenti i Republikës së Francës do të vizitojë Serbinë në muajin korrik. Ministri për Çështje Evropiane dhe Punë të Jashtme do të vizitojë Shqipërinë dhe Kosovën këtë vit. Përveç kësaj, vizita të tjera të anëtarëve të qeverisë dhe deputetëve, në të gjitha vendet e rajonit, do të ndihmojnë në forcimin e marrëdhënieve tona.

– Franca të forcojë bashkëpunimin e saj dypalësh me vendet e rajonit në katër fusha:

Fusha e parë përfshin zhvillimin ekonomik dhe social nëpërmjet intervenimit të Agjencisë Franceze për Zhvillim (AFD):

“Ndihma vjetore e siguruar nga AFD-JA (fillimisht 100 deri më 150 milion euro) do të shërbejë si një mbështetje përmirësuese për financimin e donatorëve të tjerë, veçanërisht të Institutit gjerman të Kreditimit për Rindërtim (KfV), me të cilin ka një bashkëpunim të ngushtë”, thuhet në strategjinë e Francës për Ballkanin.

E dyta fushë është siguria:

“Forcimi i bashkëpunimit tonë dypalësh, duke përfshirë: krijimin e njësive të përhershme të inteligjencës në fushën e kriminalitetit (UPRC). Luftimi i terrorizmit dhe radikalizmit me mbështetje për vendosjen e platformave për raportimin apo paraqitjen e përmbajtjeve të paligjshme në internet. Forcimi i mekanizmit tonë të bashkëpunimit operacional për çështjet e sigurisë së brendshme”, parashihet në këtë masë.

E treta është drejtësia dhe parasheh:  “Krijimin e ekipeve të përbashkëta të hetimit me të gjitha vendet e rajonit”.

E katërta përfshin fushën e mbrojtjes, duke: “Intensifikuar shkëmbimin me vendet e rajonit , marrjen e komandës së operacionit EUFOR-Althea, më 27 mars, ofertë më të madhe për trajnim të oficerëve për vendet e Ballkanit Perëndimor në shkollat franceze të stërvitjes, si dhe të shtetasve nga këto vende, në Institutin për Studime të Larta të Mbrojtjes Kombëtare (IHEDN) dhe mbështetje për përfshirjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në operacione të përbashkëta paqeruajtëse jashtë vendit”, thuhet më tej në Strategji.

Siç sqarojnë më tej nga Ambasada, kjo Strategji ka për synim të mbështesë dhe të plotësojë veprimin e Bashkimit Evropian për të përkrahur afrimin e rajonit drejt Evropës.

Ajo gjithashtu plotëson aktivitetet e ndërmarra në kuadër të procesit të Berlinit, në të cilin Franca merr pjesë që nga themelimi i saj dhe do të zbatohet pjesë-pjesë në kuadrin franko-gjerman, si lufta kundër trafikut të paligjshëm të armëve të vogla dhe të lehta, mbështetja për Zyrën Rajonale të Bashkëpunimit Rinor (RIKO) dhe bashkëpunimi ndërmjet Agjencisë Franceze për Zhvillim dhe Institutit gjerman të Kreditimit, i destinuar për Rindërtim; vizita të përbashkëta në rajon.

Përndryshe, kjo Strategji u bë publike në kuadër të Samitit të Berlinit që u mbajt dje, në të cilin i pranishëm ishte edhe kryeministri i RMV-së, Zoran Zaev, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani dhe ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov.

Makron - Merkel - Zaev
Makron – Merkel – Zaev

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button