LDK këmbëngul për dorëheqje të Jahjagës

Lidhja Demokratike e Kosovës ka vazhduar ta kërkojë dorëheqjen e Atifete Jahjagës dhe zbatimin e Marrëveshjes PDK – LDK –AKR. Shefi i Grupit Parlamentar të Kosovës, Ismet Beqiri thotë se për këtë çështje, kryeministri Thaçi do të thirret edhe në interpelancë. Paraprakisht, partia më e madhe opozitare do të kërkojë llogari nga Ministri Enver Hoxhaj për çështjen e njohjeve.

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk e ka ndryshuar qëndrimin ndaj Atifete Jahjagës që ajo të logohet për t’u lëshuar rrugë reformave zgjedhore dhe kushtetuese.

Por, Partia e Isa Mustafës vazhdon të thotë se përgjegjës për moszbatimin e marrëveshjes së vitit të kaluar PDK-LDK-AKR është Kryeministri Thaçi.

Për moszbatim të marrëveshjes Thaçi-Mustafa-Pacolli, LDK-ja ka paraparë të thërrasë në interpelancë Kryeministrin. Por, partia e dytë ka vendosur që para Thaçit në Kuvend për të dhënë llogari të thërrasë Ministrin e Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj në lidhje me skandalet e njohjeve, sidomos atë të Malit.

“Nuk ka pasur ndonjë renditje të asaj se kush do të thirret i pari. Arsye se pse më herët e kemi thirrur interpelancën me Ministrin e Jashtëm, e kemi nisur duke e parë se çka po ndodh me njohjet, gjegjësisht mosnjohjeve që po ndodhin në politikën e jashtme”, ka thënë Beqiri, për Express.

“Jemi duke përgatitur edhe interpelancat e tjera që janë disa, por që tash nuk mund të t’ju tregoj, pa marrë qëndrim në parti”, tha ai.

Këto kërkesa janë hedhur poshtë nga Presidentja Jahjaga dhe Kryeministri Thaçi.

Jahjaga ka thënë se nuk largohet nga Presidenca, përderisa nuk merren vesh ata që e kanë emëruar në krye të shtetit, ndërsa Thaçi ka përsëritur disa herë se nuk do të ketë zgjedhje të përgjithshme para afatit kushtetues – vitit 2014.

Ismet Beqiri thotë se LDK-ja do të vazhdojë të kërkojë largimin e Jahjagës dhe njëkohësisht zbatimin pikë për pikë të marrëveshjes, e cila ishte ndërmjetësuar nga amerikanët./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button