“Dosja Pacolli” përfundon në EULEX

Behgjet Pacolli është zyrtari më i lartë i shtetit mbi të cilin rëndojnë akuzat se ka kryer vepër penale përmes falsifikimit dhe mashtrimit. Kallëzimi penal, i ngritur kundër tij nga Agjencia Antikorrupsion, tashmë është në duar të prokurorëve të EULEX-it.

Zyrtarë të lartë institucionalë e shohin të udhës që ai të lirohet nga detyra, derisa organet e drejtësisë ta thonë fjalën e fundit rreth “aferave” në të cilat dyshohet të jetë përfshirë ai kohëve të fundit

Burime të afërta me AKK-në i kanë konfirmuar “Kohës Ditore” se kallëzimi penal është deponuar të enjten pasdite në duar të prokurorëve evropianë që veprojnë në Kosovë. “Kallëzimi penal është dorëzuar tek prokurorët e EULEX-it dhe tash është në kompetencë të  tyre ta shqyrtojnë nëse ka bazë për të ngritur aktakuzë kundër Pacollit, ose jo”, ka thënë burimi i gazetës.

Në EULEX kanë konfirmuar se e kanë pranuar një lëndë nga AKK-ja, por pa dhënë shpjegime të tjera. “Prokuroria Speciale e ka pranuar një kallëzim penal nga Agjencia Antikorrupsion, mirëpo ne nuk mund të japim detaje të lëndës së pranuar”, ka deklaruar zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi. As Agjencia Kundër Korrupsionit në vijë zyrtare nuk ka pranuar të flasë për rastin./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button