Heshtja përballë ryshfetit të Haraçisë, Pacolli rrezikon burgun

Zëvendëskryeministri Pacolli nuk e kishte denoncuar në polici zëvendësministrin Haraçija, për të cilin ka thënë t`ia ketë kërkuar 3.6 milionë euro që hoteli “Grand” të mos merrej nën administrimin e AKP-së. Mosdenoncimi përbën vepër penale, të dënueshme deri në tre vjet burgim. Për rastin nuk kanë folur as në Qeveri dhe as në Prokurorinë e Shtetit.

As Pacolli nuk e ka treguar arsyen e mosdenoncimit. Zyrtarët qeveritarë janë treguar memecë të premten, kur iu është kërkuar të tregojnë nëse kanë qenë në dijeni për kërkim ryshfeti ndërmjet zyrtarëve të lartë të këtij institucioni. Nuk kanë treguar as për ndonjë masë që do të mund të ndërmerrej ndaj tyre.

Një prokuror, i cili ka folur në kushte anonimiteti, ka thënë se Pacolli vetë ka kryer vepër penale dhe se për këtë vepër parashihet dënime burg deri në tre vjet.

Ndërkaq Prokuroria ka nxjerrë një vendim të premten pasdite për nisjen e hetimeve kundër Astrit Haraçisë, Ukë Rugovës, Naser Osmanit dhe Gazmend Abrashit për vepra penale që lidhen me korrupsionin. Burime nga Prokuroria kanë thënë se është diskutuar se çfarë veprash penale mund të jenë kryer.

Burimi ka thënë se është nxjerrë përfundim se dyshimi i bazuar ekziston se të dyshuarit kanë kryer veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe ushtrimit të ndikimit. Vendimi është marrë pas publikimit të dëshmive të zëvendëskryeministrit Behxhet Pacolli dhe biznesmenit Remzi Ejupi, të cilët kanë zbuluar ata që i kanë identifikuar si “sekserë të Dino Asanajt”.

Pavarësisht se Remzi Ejupi ka dalë para disa muajsh në media duke akuzuar Dino Asanajn se i ka kërkuar para, Prokuroria nuk është ngutur të kryejë hetime, sikur në një rast tjetër të ngjashëm të para disa ditëve lidhur me Sami Hamitin e dy biznesmenë të Prishtinës, ndaj të cilëve nisën hetimet dhe u caktuar paraburgimi prej 30 ditëve.

Rasti i “Grandit” tregon për një nivel të lartë të korrupsionit në Qeverinë e Hashim Thaçit. Një zëvendësministër i tij i kërkon 3.6 milionë euro një zëvendëskryeministri të Qeverisë, por Prokuroria nuk ndërmori asnjë aksion për arrestimin e të dyshuarve.

Kryeprokurori i Shtetit, Ismet Kabashi, ka mohuar se po aplikohen standarde të dyfishta, ndërsa EULEX-i ka thënë se rastet i shikon të ndara nga njëri-tjetri.

Lajme të ngjashme

Back to top button