Zgjedhjet fer dhe demokratike mbeten ëndërr për Maqedoninë

Për 20 vite aq sa ekziston Maqedonia si shtet i pavarur dhe sovran, me aspirata serioze për anëtarësim në NATO dhe BE, asnjëherë nuk arriti të organizojë zgjedhje sipas standardeve të OSBE/ODIHR-it.

Maqedonia asnjëherë në periudhën e saj ekzistuese më shumë se dy dekada nuk ka pasur vullnet e as gatishmëri për t’iu përmbajtur rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it si parakushte për zgjedhje fer dhe demokratike. Kështu kanë konstatuar ekspertët e çështjeve politike në debatin e sotëm me temë “Implementimi I rekomandimeve OSBE/ODIHR-parakusht kyç për zgjedhje korrekte dhe demokratike” të organizuar nga Këshilli global për rekomandime.

Naser Zyberi, analist politik tha se Maqedonia edhe pse deklarativisht dhe parimisht çdo herë thotë se i ka parasysh rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe Këshillit të Evropës, por në fakt ky vullnet nuk shihet në praktikë.

“Duke pasur parasysh se komisioni që po bën përgatitjen e versionit të ri ka hedhur tani një sipërfaqe punuese. Kuptohet që ka kohë ende dhe në bazë të diskutimeve dhe debateve që do të zhvillohen dhe pjesëmarrjes së aktorëve të tjerë ka hapësirë që të bëhet kuptohet nëse ekziston vullnet politik. Deri tash ky vullnet politik nuk është demonstruar në vepër” tha Zyberi.

Politikanët sipas Zyberit gjithnjë e më shumë janë kundër listave të hapura zgjedhore sepse me këtë do të vije në pah dhe do të de legjitimoje shumë politikan të vendit.

“Kjo është një temë e cila në Maqedoni fillon me intensitet gjithnjë e më të madh që të hapet, ka një inherencë do të kisha thënë nga ana e lidershipve të partive politike, sepse me listat të hapura del në sipërfaqe pesha në elektorat e çdo njërit pa marrë parasysh a është lider, a është numër një në listë apo numër 20. Dhe kjo në një farë mënyre mund ti de legjitimoje kryesitë apo udhëheqësit e partive sepse do tua nxjerrë në sipërfaqe përkrahjen reale që e kanë nga qytetarët dhe jo imponimin e tyre në kreun e listës për të fituar mandatin e deputetit” theksoi Zyberi.

Edhe për analistin tjetër politik Albert Musliu, rezultatet flasin se nuk ekziston vullnet politik për të implementuar rekomandimet e OSBE/ODIHR për zgjedhjet në Maqedoni. Ndërsa historia e Maqedonisë mban mend zgjedhje të lira dhe demokratike vetëm ata të 1990-ës.

“Rekomandime marrin çdo vit e me radhë, ne vitin 1990 kishim zgjedhje për herë të parë pa eksperiencë por ishin demokratike dhe të lira ku qytetarët janë ndje të lirë të japin votën e tyre dhe të besojnë se rezultatet të cilat janë fituar pas asaj e kanë reflektuar vullnetin e tyre. Vullnet politik nuk ka, fatkeqësisht nuk ka aq sa duhet që gjithë ky proces normalizohet dhe për ne mos flitet më se a kemi pas zgjedhje demokratike dhe fer. Është absurd pas 22 vjet në mes Evropës të flitet se ju a keni zgjedhje demokratike dhe fer” tha Musliu.

Sa u përket listave të hapura zgjedhore Musliu thotë se dyshimet janë aty se në rast se kjo vie në shprehje subjektet më të mëdha politike do të kenë më shumë vërejtje dhe rezistencë për listat e hapura.

‘Sepse listat e hapura nënkuptojnë edhe kontrollë më të vogël të lidershipit politik, se ju nëse doni të tërhiqni njerëz të cilët u tërheqin vota për shkak personalitetit të tyre, gjithsesi presioni politik apo partiak ndaj tyre sigurisht se do të jetë më I vogël dhe do të marrin verdiktin drejt prej qytetarëve. Në këtë model  zgjedhor të cilin e kemi tash me lista të partive politike është pikërisht udhëheqësia partiake ajo e cila fundja e fundit e jep versionin e fundit të listave zgjedhore dhe deputetet gjithsesi se ndjejnë ndonjë përgjegjësi partiake e jo qytetare ndaj postit që marrin” theksoi Musliu.

Andrej Zhenovski, kryetar i Partisë Liberal Demokratike (PLD) pjesëmarrës në debat, tha duhet të konstatoj se Maqedonia është ndër vendet e rralla të tranzicionit e cila me 21 vjet ekzistim nuk arriti të ketë një proces zgjedhor stabil dhe fer e demokratik, ndërsa edhe më tej ka më shumë votues se banorë.

“Ne nga viti në vit kemi zgjedhje jo të mira, ndërsa zgjedhjet e para në Republikën e Maqedonisë kanë qenë transparente, fatkeqësisht në vend që të përparojmë ne po shkojmë mbrapa. Nëse I  shohim listat zgjedhore në Maqedoni ne  kemi më shumë votues se sa banorë. Në Maqedoni deri sot është ironike dhe paradoksale kjo çështje. Ajo që është brengosëse është fakti se nuk mësuam përse u ndërpre procesi  i regjistrimit të popullatës dhe nuk u komentua më shumë. Ata u frikësuan se do të del se nuk kemi votues në Maqedoni dhe kjo ishte arsyeja pse dështoi ky projekt, sepse do të merrej vesh se jo vetëm në zgjedhjet e fundit por të gjitha zgjedhjet e kaluara do të dilnin të vërtetat në pah” theksoi Zhernovski./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button