ANALIZË: Shmangia e taksimit të dyfishtë dhe mbrojtja e investimeve – përmes Prespës drejt zhvillimit ekonomik! 

Për Greqinë – Republika e Maqedonisë së Veriut është destinacion ideal eksportues dhe tregtar, për Republikën e Maqedonisë së Veriut – Greqia është investues strategjik, rrugë transitore drejt detit, por edhe një destinacion shumë i mirë për pushime verore. Të afërta gjeografikisht, por deri para pak kohësh të  largëta në aspekt të politikës së jashtme, të dy vendet, sipas njoftimeve të kryeministrave Cipras dhe Zaev, fillojnë një epokë të re në shenjën e ekonomisë. A është i mundur një ekspanzion tregtar dhe investues pas zgjidhjes së kontestit të emrit?, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Kapitali grek – anembanë Maqedonisë.

Tregtia bankat industria e rëndë dhe ajo ushqimore, biznesi i naftës, ndërtimtaria, pothuajse nuk ka sektor në vend në të cilin kompanitë me kapital dominant grek nuk janë duke punuar me sukses.  Njëri nga vitet në të cilat investimet greke në vend arritën kulmin prej më shumë se 450 milionë eurosh ishte viti 2008. Të dhënat zyrtare zyrtare mbi lëvizjen e investimeve greke në vend treguan se që nga viti 2008, investimet nga Greqia në vend janë kryesisht në rritje, duke  përfshirë një pjesë prej 12% deri në 10% të vlerës së investimeve të përgjithshme të drejtpërdrejta të huaja në vend. Nga viti 1997 deri në fund të vitit 2017, vlera e përgjithshme e investimeve greke në Republikën e Maqedonisë së Veriut arrin pothuajse në 474 milionë euro, ndërsa më poshtë është paraqitur trendi i investimeve në tre vitet e fundit:

Greqia, sipas vlerës së investimeve, është partneri i tretë më i madh i Maqedonisë, ndërsa përpara Greqisë është Austria me 13.6% dhe Mbretëria e Bashkuar me pjesëmarrje prej 11.3% në investimet e përgjithshme. Se bizneset greke dominuan në sektorin privat tregon edhe informata sipas të cilës kompanitë e Maqedonisë në pronësi greke ose të përzier udhëheqin sipas madhësisë, numrit të të punësuarve dhe profitit, ndërsa në mesin e tyre janë rafineria “Okta” – grupi Helenik Petroleum, kompania “Usje-Titan”, nga sektori i tregtisë “Veropulos”, këtu janë edhe “Stopanska Bank – Shkup”, anëtar i grupit NBG, si dhe “Birraria – Shkup”, “Zhito Luks” dhe “Kombinati i mermerit” – Prilep. Njëra nga firmat greke që fitoi biznes të madh në sektorin e ndërtimit, “Aktor”, ishte e angazhuar në ndërtimin e aksit rrugor Demir Kapi-Smokvicë, por vitin e kaluar, në mars, Prokuroria Speciale Publike njoftoi se hap lëndë të re që ka të bëjë me favorizimin e kompanisë greke gjatë zgjedhjes së firmave për ndërtimin pikërisht të këtij aksi strategjik rrugor në vend, i cili u lëshua në përdorim vetëm një muaj pas hapjes së rastit nga ana e PSP-së. Fqinji jugor, përveç sasisë së investimeve, renditet në vend të lartë edhe në listën e partnerëve strategjikë tregtarë të vendit.

Shkëmbimi i përgjithshëm tregtar midis dy vendeve vitin e kaluar ishte 992 milionë dollarë, nga të cilat 766 milionë dollarë është vlera e importit grek në vend, ndërsa 225 milionë dollarë është eksporti ynë në Greqi. Në vitin 2018, në krahasim me vitin 2017, shkëmbimi i përgjithshëm tregtar u rrit për 20%, me ç’rast me dinamikë më të madhe rritet importi grek në Republika e Maqedonisë së Veriut në krahasim me eksportin tonë në Greqi.

Çfarë presin biznesmenët dhe ekonomistët …

Optimizëm i madh për zhvillimin ekonomik midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut shprehën kryeministrat Zaev dhe Cipras në forumin e madh të biznesit që u mbajt të madh që u zhvillua në Shkup para më shumë se 400 biznesmenëve. Sipas vlerësimeve të ekonomistëve, ky forum dërgon një mesazh të fortë se është koha e fundit për t’i normalizuar, por edhe për t‘i përforcuar marrëdhëniet ekonomike midis dy vendeve.

“Duket se pas diskursit të qartë ndërkombëtar, gjegjësisht politik dhe detyrimeve të ndryshme normative që rrjedhin nga Marrëveshja e Prespës, në rend është edhe normalizimi i mirëfilltë i marrëdhënieve midis Maqedonisë dhe Greqisë në sferën e ekonomisë. Bashkëpunimi midis ndërmarrjeve maqedonase dhe greke përveç pengesave politike në të kaluarën vazhdimisht intensiv, me përjashtim të periudhës së bllokadës tashmë të harruar të viteve 1990-ta të shekullit të kaluar. Konfirmimi i interesit për bashkëpunim ekonomik është numri i kompanive pjesëmarrëse nga të dyja vendet në forumin e biznesit të mbajtur në Shkup, në kuadër të vizitës së parë të kryeministrit Cipras në Maqedoni”, thotë ekonomisti Pavle Gacov.

Ja cilat janë pikat kyçe për të cilat të dyja palët paralajmëruan veprime dhe zgjidhje konkrete: formimi i komisionit të përzier të ekspertëve që duhet të vendosin për emrat e markave tregtare që e përmbajnë fjalën Maqedoni, maqedonase, maqedonas dhe të ngjashme do të formohet në mes të muajit maj, zgjidhje për shmangien e taksimit të dyfishtë, zhvillimi i portit të Selanikut, hapja e dy vendkalimeve të reja kufitare Promahoi – Majden dhe Markova Noga – Agios Germanos. Për biznesmenët nga vendi, Greqia është një destinacion i rëndësishëm transit, konkretisht 37% e mallrave dhe 6% e transportit të kontejnerëve të biznesmenëve të Maqedonisë kalojnë nëpër portin e Selanikut.

“Neve me Greqinë, na lidh porti i Selanikut, e për biznesin është pengesë nëse ai nuk është në funksion. Pra, kemi nismë për të marrë një status të posaçëm të shfrytëzimit dhe ky port të shfrytëzohet me kapacitet të plotë”- deklaroi Branko Azeski, kryetari i Odës Ekonomike.

Ky forum mund të konsiderohet si një shans për bashkëpunim ekonomik dhe nevojiten rezultate të dukshme nga marrëveshja, konsiderojnë ekonomistët.

“Megjithatë, për t’i dhënë një shans të mirëfilltë bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve, pasurimit dhe lehtësimit të tij, e me këtë edhe intensifikimit të tij, është e nevojshme të nënshkruhen dy marrëveshje të rëndësishme, e para, për mbrojtjen e investimeve dhe e dyta për shmangien e tatksimit të dyfishtë. Investitorët grekë në Maqedoni, për shkak të mungesës së marrëveshjes për t’iu shmangur taksimit të dyfishtë, e tatojnë transferimin e fitimit (dividentën) në vendin e tyre me 10%. Kjo nuk i motivon kompanitë greke të themelojnë kompani në vendin tonë. Kompanitë e Maqedonisë që u paguajnë shërbime të ndryshme kompanive greke gjithashtu paguajnë një tatim të mbajtur me përqindje prej 10%. Nëse i përdorin të njëjtat shërbime nga vendet me të cilat kemi nënshkruar marrëveshje për shmangien e taksimit të dyfishtë, ato nuk kanë tatim të këtillë. Pa marrëveshje të nënshkruar dhe të ratifikuar, nuk ka mundësi për lirim nga ky tatim. Me qëllim të zvogëlimit të barrës tatimore dhe lehtësimit të bashkëpunimit ekonomik, Maqedonia ka nënshkruar marrëveshje të këtilla me mbi 40 vende, kryesisht evropiane. Është koha e duhur për ta nënshkruar një marrëveshje të këtillë me Greqinë, ndërsa efektet ekonomike prej saj do të shihen shpejt”, thotë Gacovi.

Një zhvillim pozitiv mund të pritet edhe sa i përket naftësjellësit Selanik-Shkup, sepse sipas disa njoftimeve, grupi Helenik Petroleum është në bisedime të avancuara me autoritetet në Maqedoninë e Veriut për ta lëshuar sërish në përdorim këtë tubacion të naftësjellësit me rëndësi strategjike.

Si pjesë e delegacionit grek të kryesuar nga kryeministri Cipras ishin rreth 140 biznesmenë nga sektorë të ndryshëm: ndërtimtaria, energjetika, industria ushqimore dhe teknologjitë e reja.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button