Koncerti “Ramë Lahaj & friends”: Si u anulua pjesëmarrja e orkestrës së Operës katër orë para koncertit (VIDEO)

Koncerti i tenorit shqiptar me famë botërore, Ramë Lahaj & friends, që u mbajt më 4 prill 2019 në Operën dhe Baletin e Maqedonisë së Veriut (OBMV), i realizuar në kuadër të Festivalit “Skena e muzikës serioze shqiptare”, rezultoi me anulimin e pjesëmarrjes së orkestrës së OBMV-së katër orë para koncertit. Kjo ngjalli reagime të shumta në publik, se orkestra “e sabotoi Lahajn”, se “pjesëtarët e orkestrës janë shokët e Igor Durllovskit, tenorit të përfshirë në sulmin e 27-prillit” dhe se “në institucionet e RMV-së ende funksionon fryma nacionaliste maqedonase – kundër shqiptarëve”, transmeton Portalb.mk.

Por, deklarata e drejtorit të OBMV-së, Vasko Ristovski dhe i drejtorit artistik të “Skenës së muzikës serioze shqiptare”, Fatos Lumani, nxorrën në pah anomali të tjera të funskionimit të orkestrës së Operës, e jo përkatësia monotetnike e saj.

Drejtori i Operës dhe Baletit të RMV-së, Vasko Ristov
Drejtori i Operës dhe Baletit të RMV-së, Vasko Ristov

Sipas Vasko Ristovskit, orkestra e OBMV-së nuk mori pjesë në koncertin e Lahajt, për shkak të pamundësisë së përshtjatjes në aspekt muzikor dhe teknik të orkestrës dhe reprerotarit të koncertit, ndërkaq, në asnjë formë sipas tij nuk ka qenë shkak përkatësia etnike e Lahajt, sepse, siç numëroi ai, në Operën kanë perfomuar edhe tenorët tjerë shqiptarë po ashtu me famë botërore, si Kastriot Tusha, Saimir Pirgu e Josif Gjipali, dhe orkestra ka marrë pjesë.

“Në lidhje me spekulimet për koncertin e tenorit Ramë Lahaj, që u mbajt më 4 prill, është siç vijon. Koncerti është realizuar nga festivali i pavarur “Skena e Muzikës Serioze Shqiptare”, kurse orkestra e OBM-së u mor si hua që të jetë si përkrahje e tenorit Ramë Lahaj, por për shkak të arsyeve teknike, mungesës së kohës për përshtatje muzikore dhe teknike, organizatori dhe tenori sollën vendim që koncerti të mbahet pa orkestrën e OBM-së. Publiku ishte në kohë i informuar. I demantojmë informacionet se orkestra e OBM-së e ka sabotuar dhe nuk ka performuar. Edhe më shumë i kundërshtojmë dezinformatat se shkak për vendimin e Skenës ka qenë përkatësia etnike e këngëtarit. Më besoni, këtu kanë marrë pjesë edhe artistë të tjerë shqiptarë, si Kastriot Tusha, Saimir Pirgu, edhe Josfi Gjipali, dhe nuk ka pasur kurrë probleme dhe nuk do të ketë”, tha për Portalb.mk, Ristov.

Fatos Lumani
Fatos Lumani

Fatos Lumani në mënyrë indirekte vlerësoi se orkestra e Operës nuk ka pasur kapacitet që ta plotësojë nevojën artistike të koncertit të Ramë Lahaj & Friends, dhe për të mos humbur kohë, kanë vendosur që koncerti të shkojë me mbështetje instrumentale nga artisti Genc Tukiçi.

“Artistë të nivelit botëror si Ramë Lahaj apo David Crescenzi, meritojnë jo më pak se niveli i tyre artistik, nivel i cili ndoshta orkestrave të vendit tonë u duhet më tepër kohë për ta arritur dhe koha është një luks i shtrenjtë për këto artistë, të cilën nuk e kanë me tepricë. Për të mos humbur kohë dhe për të mos e rrezikuar nivelin artistik të koncertit, në momentin e fundit vendosëm që të angazhojmë pianistin me karrierë ndërkombëtare Genc Tukiçin. Lidhur me këtë çështje, nuk dëshirojmë të mendojmë me retorikë nacionaliste, edhe pse koha e zgjedhjeve gjithmonë e çon ujin nga ky drejtim. Nuk mund t’i pohojmë dhe as t’i mohojmë arsyet e mospërgjigjes së kërkesave në moment të caktuar dhe në nivel të caktuar të orkestrës ndaj dirigjentit. Atë që mund ta them me siguri është se kishte përkushtim dhe vullnet të mirë nga drejtori i MOB, Vaso Ristov dhe udhëheqësia e këtij institucioni, që ky koncert të realizohej me orkestër. Kjo gjë na bën që në të ardhmen të vazhdojmë bashkëpunimin me këtë institucion”, tha Lumani.

Ministri i Kulturës, Asaf Ademi

Pavarësisht situatës që mund të ishte krijuar, një gjë dihet: Publiku nuk arriti të marrë atë për çfarë kishte shkuar, një koncert të Ramë Lahajt të shoqëruar nga shumë instrumentist, të gjithë maqedonas, sepse e tillë është orkestra e Operës dhe Baletit, me një shqiptar.

Duke e parë këtë dëm që iu bë artistit Ramë Lahaj, projektit dhe publikut artdashës, sepse koncerti nuk shkoi ashtu siç u paralajmërua, Portalb.mk kërkoi qëndrim edhe nga Ministria e Kulturës, por nga atje nuk dhanë ndonjë vlerësim dhe as nuk treguan se a do të ndërmerret diçka dhe çfarë ndaj orkestrës së Operës.

“Në lidhje me këto pyetje, ju udhëzojmë t’i drejtoheni udhëheqësisë së institucionit nacional Opera dhe Baleti i Maqedonisë. Gjithashtu, në lidhje me të gjitha detajet për realizimin e këtij projekti, ju udhëzojmë t’u drejtoheni organizatorëve të ngjarjes”, thanë nga Ministria e Kulturës.

Ramë Lahaj gjatë koncertit
Ramë Lahaj gjatë koncertit

Për situatën e krijuar, qëndrimin e ka shprehur edhe tenori Ramë Lahaj, i cili për median e Kosovës, “Kohavizion”, në lajmin me titull “Orkestra e Operës e bojkotoi koncertin e Ramë Lahajt” tha:

“Unë i kam dëgju këto thashethemet e koncerteve paraprake, se orkestrat maqedonce dinë mos me qenë profesionist dhe korrekt kur është në pyetje aktivitetet shqiptare. Kjo është ajo çfarë kam dëgju, por kësaj radhe edhe unë e vërtetova, derisa erdhëm me një pikë që unë e anuloj koncertin me orkestër”, tha Lahaj.

Ramë Lahaj është njëri nga këngëtarët më të shquar në gjeneratën e tij, është fitues i çmimit „Operacioni Plasido Domingo“ në vitin 2016. Interpreton me emra të njohur botërisht në skenat e operës në gjithë botën, në mesin e të cilëve: interpretimi në Operën Nacionale të Parisit me Plasido Domingo, në Bolshoj me Sohiev, Operën Nacionale të Finlandës me Helsinki, Operën e Mbretërisë së Danimarkës, si dhe turne ndërkombëtare të koncerteve me Angela Georgiu në Korenë e Jugut dhe në Meksiko me Orquestra Filarmonica de Jalisco.

Koncerti Ramë Lahaj & friends, u mbajt në kuadër të edicionit të shtatë të Festivalit “Skena e Muzikës Serioze Shqiptare”.

LEXO: Para koncertit, Ramë Lahaj u takua me ministrin Ademi dhe kryeparlamentarin Xhaferi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button