Hallall: Shenja e stampuar mbi produktin e “FAMA Trade” nuk është e jona

Nëpërmjet një kumtese për media, Agjencia “Hallall” e Bashkësisë Fetare Islame (BFI), njofton se logoja mbi produktin që përmban përbërje të yndyrës së derrit e kompanisë “FAMA Trade” nuk është e tyre, transmeton Portalb.mk.

“Meqenëse kohëve të fundit, siç bëhet e ditur, në treg është paraqitur një produkt i deklaruar me përbërje të yndyrës së derrit dhe me logon “Hallall” (“napolitanka” e firmës “FAMA Trade”), njoftojmë opinionin se shenja e stampuar mbi produktin e paraqitur në rrjetet sociale dhe në disa portale nuk është e agjencisë “Hallall” të Bashkësisë Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, thuhet në kumtesë.

Nga BFI thonë se ata i dënojnë rastet manipuluese me konsumatorët muslimanë dhe se do të kërkojnë nga institucionet shtetërore të verifikohet rasti.

“Ne shprehim shqetësimin tonë për produktet e këtilla, të deklaruara si “Hallall” dhe i dënojmë rastet manipuluese me konsumatorët e konfesionit islam. Ndërkohë, në kuadër të kompetencave tona, të pozitës juridike të BFI-së, do të kërkojmë nga institucionet shtetërore që e përcjellin tregun që ta verifikojnë rastin dhe të ndërmarrin masat ligjore”, thuhet në kumtesë.

Ata i bëjnë apel popullatës myslimane që rastet e këtilla, ose të ngjashme, t’i denoncojnë tek agjencia “Hallall” e BFI-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button