Investitorët e Gjermanisë notë “zero” Qeverisë së RMV-së, fuqinë punëtore e lavdëruan
Sipërmarrësit e Gjermanisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Qeverinë e ka vlerësuar me “zero”, sepse sipas tyre ajo ka qenë e koncentruar në politikën e jashtme dhe e ka humbur vëmendjen ndaj ekonomisë. Vlerësime të dobëta kanë marrë reformat tatimore, investimi në arsim, kuadri i pamjaftueshëm i cili u është ofruar ndërmarrjeve të huaja, lufta kundër korrupsionit e cila lidhet me tenderët e pakuptimtë, mungesa e reformave administrative dhe ndryshimet e shpeshta ligjore, transmeton Portalb.mk.
Vlerësim më të lartë ndërmarrjet e Gjermanisë i kanë dhënë fuqisë punëtore, e cila sipas tyre është e përgatitur që të punojë dhe ta përmirësojë produktivitetin, dhe harxhimet që i kanë me punën, edhe pse janë rritur tatimet që lidhen me të.
Sipas tyre, gjendja ekonomike gjatë vitit të kaluar ka qenë edhe më e papërshtatshme. 56 për qind e ndërmarrjeve e kanë vlerësuar si “të keqe”, 39 për qind si “të kënaqshme”, ndërkaq vetëm 5 për qind e tyre e kanë vlerësuar si “të mirë”.
Viti në vijim – investitorët nuk presin ndryshime të mëdha
22 për qind e ndërmarrjeve konsiderojnë se gjendja në sipërmarrësi do të përmirësohet, 54 për qind e tyre nuk presin që të ketë ndryshime të mëdha, ndërkaq 24 për qind e tyre presin përkeqësim të gjendjes.
Përskaj vlerësimeve negative, 75 për qind e sipërmarrësve kanë deklaruar se sërish do të investonin në RMV.
Qeveria e RMV-së ka marrë kritika për sistemin “thashetheme” në rrjete sociale, të cilat kanë ndikuar në punën e ndërmarrjeve, veçanërisht kur publikohen lajme të rreme për ikjen e tyre jashtë shtetit.
Përndryshe, në RMV funksionojnë 201 ndërmarrje me kapital gjerman, të cilët kanë punësuar 20 mijë qytetarë. Shkëmbimi tregtar me Gjermaninë ka arritur vlerën prej 3.64 miliardë euro.