Takimi Zaev- Ruçi: Shqipëria është fqinji dhe miku më i madh i Maqedonisë së Veriut në rajon

Kryeministri I Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka realizuar takim me kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, ata kanë biseduar për bashkëpunimin mes dy vendeve, mbështetjen e Shqipërisë për procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO dhe çështje të tjera, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në njoftimin nga Kuvendi i Shqipërisë thuhet se Ruçi gjatë takimit ka theksuar se Maqedonia e Veriut është një vend mik i veçantë i Shqipërisë, por edhe një partner i denjë në rrugën e përbashkët drejt familjes evropiane, sipas tij, në kontributet për paqen dhe stabilitetin në rajon.

“Bashkëpunimi politik midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut është i shkëlqyer, por ne duhet të punojmë që në këtë nivel të ngrihet edhe bashkëpunimi ekonomik e tregtar. Maqedonia e Veriut kohët e fundit po arrin suksese të rëndësishme. Marrëveshja e Prespës dhe normalizimi i marrëdhënieve me Greqinë, që u hapën rrugën anëtarësimit të vendit në NATO janë dy suksese historike. Të dy vendet tona kanë dhënë prova se janë të përkushtuara ndaj zhvillimit, demokracisë, paqes dhe stabilitetit të rajonit”, ka theksuar kryeparlamentari Ruçi.

Sipas njoftimit, Ruçi vlerësoi gjithashtu rolin që e konsideron pozitiv dhe konstruktiv të shqiptarëve dhe forcave politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe vuri në dukje se Kuvendi dhe Qeveria e Shqipërisë kanë nxitur e mbështetur këtë rol.

Ndërsa kryeministri Zaev është shprehur se Marrëveshja me Greqinë ishte një shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit rajonal dhe ky model, sipas tij, duhet të ndiqet edhe nga vendet e tjera.

“Shqipëria është fqinji dhe miku më i madh i Maqedonisë së Veriut në rajon. Ju e keni treguar shumë herë këtë miqësi dhe kjo u dëshmua për herë të fundit gjatë mbështetjes për proceset e fundit europianizuese të vendit tonë si edhe ratifikimin menjëhershëm të Protokollit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO. Këto procese i dhanë një hov të madh zhvillimit të vendit, rritjes ekonomike, punësimit, rritjes së pagave dhe mirëqenies së qytetarëve”, ka theksuar Zaev në takimin me kryeparlamentarin e Shqipërisë.

Kryeministri Zaev gjatë vizitës zyrtare në Shqipëri u takua edhe me kryeministrin Edi Rama, ndërsa delegacioni i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, u prit me ceremoni zyrtare.

Kujtojmë se Shqipëria ka mbështetur në vazhdimësi proceset në kuadër të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO, që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Prespës e deri tek nënshkrimi i protokollit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button