Prokurorja Ruskovska: Nuk ka nevojë të justifikohemi për Çavkovin
Shefja e Prokurorisë për ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsion, Villma Ruskovska për “Makfaks” tha se nuk ka shkak që të dyshohet në gjetjet e Byrosë për Siguri Publike për rrezikun e ikjes së Mitko Çavkov, transmeton Portalb.mk.
“Nuk ka nevojë të justifikohemi. Prokuroria vepron sipas raportimit të policisë”, tha Ruskovska e cila shtoi se nuk kanë shkak pse të dyshojnë në policinë.
Mitko Çavkov është njëri ndër të akuzuarit për “terrorizëm” dhe ai u paraburgos tre ditë përpara se të shpallet vendimi, nën dyshimin se është përgatitur që të arratiset në një vilë në Hallkidiki të Greqisë.
Çavkov, gjatë kohës së dhunës në Kuvend ka udhëhequr me Shtabin Operativ të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Ai gjatë sulmit “u humb” për dy orë dhe nuk ndërmori masa që Policia të parandalojë që dhunuesit të futen brenda Kuvendit. Për këtë Prokuroria e akuzon për terrorizëm.
Çavkov derisa ka qenë drejtor i Byrosë për Siguri Publike i tradhtoi deputetët më 27 prill, duke lejuar Policia që protestuesit me maska të “Për Maqedoni të përbashkët” të hyjnë në objektin e Kuvendit me dhunë dhe t’i rrahin të njëjtit.
Nëpër shumë fotografi dhe video nga ngjarja e 27 prillit u pa se policia nën direktivën e Çavkovit fare nuk ka reaguar, gjë të cilën e konfirmoi edhe ish ministri i MPB-së, Agim Nuhiu.
Sipas burimeve të TV Telma, gjatë kohës së sulmit të organizuar në Kuvend, Çavkov, ka qenë vetëm disa qindra metra nga objekti i Kuvendit dhe fare nuk ka reaguar për ta parandaluar turmën.
Sinjali i telefonit celular të Çavkovit, në atë natë, është kapur në tre baza të stacioneve edhe atë në selinë e VMRO-DPMNE-së, Almako dhe Ambasadës Italiane, të cilat ndodhen në trekëndëshin në qendrën e Shkupit. Çavkov ka qenë në këtë pjesë të qytetit deri në ora 20:00, ndërkaq më pas ka ikur në Shtabin Operativ për protestat i cili ka qenë në rrethin e MPB-së. Çavkov ka refuzuar që të japë dëshmi përpara grupit punues në MPB, ndërkaq ende nuk është ftuar të merret në pyetje as në Prokurorinë e Marko Zvërlevskit.