Jahjaga: Nuk më lejohet të jap dorëheqje

Asnjëherë nuk është paraparë dorëheqja e presidentit të vendit dhe mua nuk më lejohet të jap dorëheqje, sepse kjo do të nënkuptonte procedurë tjetër të zgjedhjeve dhe ushtrues detyre të presidentit të vendit, ka thënë presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.

Jahjaga në një intervistë për radion “Evropa e Lirë” ka folur edhe për dialogun politik, të paralajmëruar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Republika e Kosovës është shtet sovran, është shtet i pavarur dhe ka integritetin e plotë territorial, vendos marrëdhënie me të gjitha shtetet tjera si subjekt ndërkombëtar dhe i barabartë. Si subjekt i tillë do të jetë edhe në çdo raport dhe në çdo marrëdhënie edhe me Republikën e Serbisë. Si dy shtete fqinje ne duhet t’i normalizojmë marrëdhëniet mes dy shteteve tona, duke vendosur edhe raporte diplomatike”, ka thënë Jahjaga.

Mirëpo, se a ka Prishtina zyrtare plan ose strategji të veprimit në bisedimet me Beogradin zyrtar, presidentja ka vlerësuar se Prishtina nuk ka nevojë të ketë as plan dhe as strategji.

“Jo, nuk ka nevojë të ketë as plan dhe as strategji, sepse siç e dini, për Republikën e Kosovës strategjia është përcaktuar me aktin e pavarësisë së shtetit tonë. Veprimi konkret është veprim institucional, që ngërthen apo përfshin në vete, edhe programin e qeverisë së Kosovës, veprimet dhe punën e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, u shpreh Jahjaga.

Lidhur me mundësinë e imponimit të një zgjidhjeje për veriun, për presidenten e vendit nuk mund të ketë imponues dhe nuk ka kush ta bëjë imponimin.

“Jo, nuk ka imponues dhe nuk ka kush ta bëjë imponimin, sepse secila zgjidhje duhet të jetë e vullnetshme dhe e zbatueshme. Gjithsesi, është e nevojshme dhe e Domosdoshme, gatishmëria e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe vullneti i shprehur lirshëm i qytetarëve të një mjedisi të caktuar. Pra, këto të dyja janë procese të pandashme”, shprehet presidentja e Kosovës.

Jahjaga ka folur edhe sa i përket mandatit të saj si presidente.
 
Sipas saj, vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka të bëjë me një amendament konkret të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, i cili është shpallur si kundër-kushtetues dhe është vlerësuar se me amendament nuk mund të shkurtohet mandate kushtetues i asnjë institucioni të zgjedhur.

“Unë jam zgjedhur me vota në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe kandidimit tim i ka paraprirë një marrëveshje e realizuar në mes të tri partive politike. Jam e obliguar të respektoj Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Unë, poashtu kam shprehur edhe vullnetin që do ta respektoj edhe marrëveshjen politike. Por, u përket palëve të marrëveshjes që të arrijnë unitetin dhe t’i gjejnë modalitetet e respektimit apo zbatimit të kësaj marrëveshjeje…

Asnjëherë nuk është paraparë dorëheqja e presidentit të vendit dhe mua nuk më lejohet të jap dorëheqje, sepse kjo do të nënkuptonte procedurë tjetër të zgjedhjeve dhe ushtrues detyre të presidentit të vendit”, u shpreh ndër të tjera Jahjaga. /Telegrafi/

Lajme të ngjashme

Back to top button