Intervenimi për eliminimin e strukturave jolegale – i arsyeshëm

Deklaratat e mëparshme të kryeministrit Hashim Thaçi se integrimi i veriut nuk do të bëhet me instrumente të dhunës dhe deklaratat e fundit të tij, nuk janë në kundërshtim dhe nuk përjashtojnë, por e plotësojnë njëra-tjetrën – thonë njohësit e rrethanave politike në Kosovë.

Kreu i ekzekutivit, së fundmi ka deklaruar se “komuniteti ndërkombëtar do të ushtrojë presion të fuqishëm që Beogradi të detyrohet t’i largojë më në fund strukturat jolegjitime, por edhe Qeveria e Kosovës do të veprojë me gjithë forcën e vet kushtetuese dhe ligjore që këto struktura jolegjitime të ballafaqohen ose me drejtësinë, ose të dëbohen nga Kosova”.

“Nëse është dhuna ose masat e jashtëzakonshme ndaj strukturave paralele, kriminele, që edhe ashtu duhet të eliminohen, atëherë kjo mund të arsyetohet, në kuptimin që të mos shkaktojë rebelim ose ndonjë konflikt më të gjerë. E dini që gjatë kësaj kohe, ka gati një vit që KFOR-i vazhdimisht bën përpjekje që t’i debllokojë rrugët, por është i kujdesshëm që të mos bëhet ndonjë konflikt i madh. Por, tash edhe durimit të tyre më duket se i ka ardhur fundi”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë analisti i çështjeve politike, Shkëlzen Maliqi.

Mendim të ngjashëm ka edhe analisti tjetër, Ardian Arifaj, por ai shpreh mendimin se Qeveria e Kosovës në vazhdimësi duhet t’ia ripërsërisë bashkësisë ndërkombëtare kërkesën që të bëjë presion ndaj Beogradit që t’i largojë nga veriu i Kosovës elementet ilegale. Mirëpo, edhe intervenimi eventual i institucioneve të Kosovës për eliminimin e këtyre elementeve, sipas Arifajt, do të ishte plotësisht i arsyeshëm.

“Nëse është e vërtetë që veriu nuk integrohet me dhunë, është më se e vërtetë që shteti duhet të jetë i gatshëm që të përballet me të gjitha sfidat, pra edhe me ato të sigurisë dhe të jetë në gjendje që t’i luftojë grupet kriminale me polici, nëse është e nevojshme. Prandaj, nuk i shoh dy deklarata që përjashtojnë njëra-tjetrën, por si dy deklarata që e plotësojnë njëra-tjetrën, që shteti i Kosovës të jetë në gjendje ta kthejë veriun nën sovranitetin e Kosovës dhe duke iu përmbajtur asaj që integrim me dhunë nuk ka, është e vërtetë, por luftim të organizatave kriminale sigurisht që duhet të ketë”, është shprehur Arifaj.

Maliqi, si faktor kyç për shpërbërjen e strukturave jolegale në veri e sheh vetë Beogradin, i cili do të vepronte nën presionin ndërkombëtar. Ndërkaq, Arifaj shfaq drojën se mekanizmat e rendit mund të jenë të papërgatitur, në rast të intervenimi eventual ndaj strukturave ilegale dhe kriminale në veri.

Ndryshe, njohësit e rrethanave politike vlerësojnë se në rast se strukturat ilegale dhe kriminale në veri do të vazhdojnë të ekzistojnë edhe më tej, ato do të prodhojnë jostabilitet të vazhdueshëm, i cili do të sjellë tensionime edhe më të mëdha se deri më tash. /Telegrafi/

Lajme të ngjashme

Back to top button