Shqipëri, 25 zjarre aktive!

Shqipëria mbetet e përfshirë në të paktën 25 vatra zjarri në disa prej rretheve në jug dhe veri të vendit.

Sipas Top-Channel, zjarret që kanë përfshirë Voskopojën shkatërruan plotësisht të paktën 35 hektarë pisha. Vatra vazhdon të jetë aktive në zonën pranë rezervuarit ndërkohë që rrezikon të përhapet e favorizuar nga era dhe temperaturat e larta. Ndërhyrja mbetet e vështirë për shkak të intensitetit të lartë të flakëve pavarësisht faktit se punonjësit e shërbimit pyjor të komunës si edhe banorët e zonës vazhdojnë të punojnë për shuarjen e tyre.

Një tjetër zjarr i fuqishëm ka rënë në masivin me pisha e shkurre të Kodrës së Sulmit, në Berat. Zjarri ka nisur fillimisht në disa shkurre ku janë depozituar disa mbeturina dhe më pas, i ndihmuar nga era, është përhapur në kodrën e mbjellë me pisha dhe ullinj.

Flakët për disa minuta kanë përpirë një territor me mijëra rrënjë ullinj e pisha. Me gjithë përpjekjet e zjarrfikësve të Beratit me mjete rrethanore të ndihmuar edhe nga banorë të Kodrës së Sulmit zjarri ende vazhdon. Mungesa dhe amortizimi i mjeteve ekzistuese e vështirësojnë së tepërmi punën e forcave të zjarrfikëseve në këtë rreth.

Situata gjithashtu mbetet problematike në Dibër, Korçë dhe Kukës. Në Pukë pyjet e tre nga fshatrave më të mëdha mbeten të përfshira në flakë.

Në Midë, zjarri ka rënë në një zonë tërësisht të pakalueshme nga automjetet dhe e vetmja mundësi mbetet ajri. Flakë të fuqishme kanë përfshirë gjithashtu fshatrat Bardhoc, vendin e quajtur Qafa e Kombit, Zapod në Kukës si edhe bjeshkët e dy fshatrave në Tropojë.

Problematike vazhdon të mbetet prej një jave zjarri i rënë në pyjet e Lurës. Nga zjarri është përfshirë edhe prefektura e Elbasanit, në dy fshatra të Gramshit, si edhe një të rrethit Librazhd. Situata në këtë prefekturë paraqitet më e mirë. Prefekturat që nuk janë prekur nga zjarret mbeten ato bregdetare, Durrës dhe Vlorë, si edhe ajo e Fierit./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button