Pendarovski në Kongresin e LSDM-së: Më 21 prill dhe 5 maj nuk do të vendoset për karrierë politike të ndokujt

Pas selisë së BDI-së, kandidati i përbashkët i 31 partive në Maqedoni të Veriut, Stevo Pendarovski ka dhënë deklaratë edhe në Kongresin е Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë (LSDM), në të cilin tha se më 21 prill dhe 5 maj, nuk do të vendoset për karrierë politike të ndokujt, por të dëshmojmë se jemi bashkuar për anëtarësim në Aleancën Euroatlantike, transmeton Portalb.mk.

“Më 21 prill dhe 5 maj, nuk do të vendoset për karrierë politike të ndokujt, kjo do të jetë më së paku e rëndësishme. Më e rëndësishme është që të dëshmojmë, se në një shtet multietnik është e mundshme, ku njerëz të etniteteve të ndryshme të bashkohen, për qëllime të njëjta, anëtarësim në Aleancën Euroatlantike, lidhe që i avancojnë të drejtat e qytetarëve dhe përfaqësues politikë të cilët i tejkalojnë linjat politike shekullore. Në Republikën e Maqedonisë së Veriut kanë filluar të vijnë lajme të mira, pas një dekade të regjimit autokrat. Dëshiroj që gjatë ditëve në vijim të japim edhe një lajm të mirë, që jo vetëm ne, por edhe shtetet e rajonit e presin me padurim”, tha Pendarovski.

Zoran Zaev

Përndryshe, Kongresi i 23-të i LSDM-së filloi me fjalimin e  liderit të partisë, Zoran Zaevin i cili e prezantoi edhe emrin e kandidatit Stevo Pendarovski.

“Kandidati i përbashkët për qëllimet tona të përbashkëta është shoku jonë Stevo Pendarovski”, tha Zaev në promovimin e kandidatit nga koalicioni qeveritar.

Lideri Zaev tha se me stabilizimin e vendit, me anëtarësimin në NATO, vazhdojnë t’i bindin të gjithë investitorët dhe me 625 milion euro tashmë kanë nisur të rriten investimet e huaja në Maqedoninë e Veriut.

“E gjithë vëmendja jonë orientohet te reformat e brendshme. Duhet të krijojmë kushte për jetesë në Maqedoninë e Veriut. Është obligim i ynë që të realizojmë premtimin për jetë më të mirë për qytetarët, sistem arsimor dhe shëndetësor më të mirë, rroga më të mira”, tha Zaev.

Zaev në fjalim theksoi edhe hapat që kanë bërë për të arritur suksesin për miqësi të mirë me të gjitha vendet e rajonit dhe shtoi se tani, të gjithë miqtë flasin me superlativat më të mira për shtetin.

Kongresi vazhdon me pjesën e punës që do të jetë e mbyllur për opinionin. Në fund të kongresit, i cili sërish do të hapet, do të mbajë fjalim kandidati i përzgjedhur për president të shtetit.

Ndryshe, Stevo Pendarovski ka marrë mbështetje që të jetë kandidat i përbashkët nga koalicioni i kryesuar nga LSDM-ja, nga koalicioni qeveritar dhe të gjithë përkrahësit për kandidat të përbashkët të presidentit të shtetit.

Ndërsa në Reçicë të Vogël, do të mbahet seancë e Këshillit Qendror të Bashkimit Demokratik për Integrim, ku do të bisedohet për zgjedhjet presidenciale, kongresin e Forumit Rinor të BDI-së, kongresi i Forumit të Grave të BDI-së, se dhe për procesin e riregjistrimit të anëtarësisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button