Pollozhani: ‘Pushka e Halil agës nuk kërcet’ protesta në Bruksel

Kryetari i Shoqatës së  të burgosurve dhe persekutuarve politik shqiptar në Maqedoni, Shpëtim Pollozhani, duke shprehur skepticizëm në zgjidhjen e statusit të tyre, paralajmëron protesta radikale në Shkup me 28 nëntor dhe Bruksel 30 tetor.

Meqë protesta e qershorit hasi në vesh të shurdhër, Pollozhani thotë se do të vazhdojnë me aktivitetet e radhës, derisa të gjendet zgjidhja adekuate.

“Ne patëm disa kontakte me zyrtarë të BDI-së, lamë që brenda një afati të shkurtër kohor të takohen me specialistët juridik të shoqatës dhe partisë në pushtet ti harmonizojnë qëndrimet e këtij ligji. Ne presim që ata të na ftojnë por kjo çështje ndodhi si puna e Halil agës, prit me vjet pushka e Halil Agës nuk po kërcet. Nuk kemi asnjë reagim apo reflektim nga ana e pushtetarëve shqiptarë dhe do të vazhdojmë edhe më tutje për sensibilizimin e opinionit për zgjidhjen e këtij problem.” u shpreh ai.

Pollozhani tha se gjithnjë i kanë dhënë përparësi Ligjit për statusin e dëshmorëve të UÇK-së , viktimave dhe familjeve të tyre, por fatkeqësisht sipas tij partia në pushtet nuk ka kapacitet të zgjidh këtë çështje.

“Nuk pres që kjo garniturë partiake ka potencë dhe kapacitet qoftë politik e qoftë intelektual për ti dalë kësaj pune në krye. Do të thotë këto nuk zgjodhën çështjen e statusit të 107 dëshmorëve të luftës e do ta zgjedhin statusin e ish 20 mijë të burgosurve dhe persekutuarve politik. Kështu që nuk pres prej këtyre gjë, prandaj ne vazhdojmë me aktivitetet tona, me një fjalë problemi jonë është afirmuar dhe është popullarizuar dhe gjithsesi një ditë do vihet në tavolinë për zgjidhje” tha Pollozhani.

Nga ana tjetër duke mos dashur të precizoj me afate, sekretari i përgjithshëm i BDI-së Abdylaqim Ademi, tha se ekziston marrëveshje, ndërsa me kohë do të zgjidhet edhe me ligj.

“Dihet që ne kemi një marrëveshje për të miratuar një ligj për rehabilitimin e të burgosurve politik në Maqedoni dhe ai është duke u harmonizuar mes partnerëve të koalicionit dhe shpresoj se shpejtë do të hyjë edhe në procedurë parlamentare” tha Ademi.

Edhe deputeti i BDI-së Talat Xhaferi në qershor tha se BDI po përgatit ligj për të persekutuarit, por si duket çështja e tyre nuk do të zgjidhet shpejtë duke pasur parasysh krizën aktuale politike te dy partnerët qeveritar BDI dhe VMRO DPMNE.

ShBPPSH kërkon miratim të ligjit për dëmshpërblimin e të burgosurve, të përndjekurve dhe të diferencuarve ideo-politikë shqiptarë gjatë ish sistemit komunist. Që nga viti 2005, Shoqata përgatiti një Propozim Ligj për zhdëmtim dhe kompensim për të gjithë të burgosurit, të persekutuarit dhe të dëmtuarit politik që nga viti 1944-1991, por ai ende nuk është pranuar.

Ndryshe, Shoqata e të burgosurve dhe persekutuarve politik shqiptar në Maqedoni, me 28 nëntor në Shkup, do të protestoj edhe për injorimin që ua kanë bërë në kremtimin e 100 vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptar, manifestim të cilin Pollozhani e quajti partiak./ Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button