RDK: BDI dhe VMRO manipulojnë, nuk do rrëzojnë qeverinë

Tensione artificiale për motive të marketingut politik i ka quajtur partia e Rufi Osmanit, Rilindja Demokratike Kombëtare tensionet  e fundit  në relacionin VMRO-BDI  qe  arrijnë kombinacionin me futjen në procedurë parlamentare të Ligjit për “Branitelat” e vitit 2001.

“Këta partnerë politikë nuk do të vendosin të shpërbëjnë shumicën aktuale qeveritare dhe nuk do të shpallin zgjedhje të parakohshme parlamentare. Arroganca politike e VMRO-së, mohimi dhe përbuzja e  UÇK-së dhe mospërfillja e dëshmorëve shqiptarë  të vitit 2001 nga kjo parti, përkundër tërheqjes politike të  BDI-së nëpërmjet kërkim fajles të ministrit të mbrojtjes verifikojnë edhe njëherë etnonacionalizimin e VMRO në raport me shqiptarët në Maqedoni” thuhet në reagimin e kësaj partie duke theksuar se dy partitë qeveritare  nuk kanë alternativë për zëvendësim të partnerëve aktualë në kuptim të ruajtjes së shumicës qeveritare ose krijimit te partneriteteve të reja strategjike.

“RDK është e bindur se qeveria aktuale VMRO-BDI është qeveri pa legjitimitet politik dhe ndëretnik dhe qeveri e cila evidenton dështime serioze  në veçanti  në agjendën e saj ekonomike–sociale dhe të integrimit euroatlantik” shprehen nga RDK dhe theksojnë se janë të gatshme  për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në mars 2013.

“Organizimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare duhet të ketë një synim madhor dhe strategjik dhe ai synim është që nëpërmjet një qeverie teknike të koalicionit të gjerë, ngjashëm si në vitin 2001, të arrihet unitet nacional për arritjen e kompromisit për zgjedhjen e çështjes së emrit me Greqinë dhe krijimin e kushteve të barabarta për konkurrim për të gjithë subjektet politike” thonë nga kjo parti. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button