Shkodër, 35 të mitur të ngujuar për shkak të hakmarrjes

Shkodra vazhdon të jetë rrethi që ka numrin më të lartë të fëmijëve të ngujuar, që ndjekin arsimin parauniversitar. Specialistët e ministrisë së Arsimit të Republikës së Shqipërisë, thonë se edhe këtë vit shkollor, fëmijët e ngujuar do të marrin mësim pranë banesave të tyre, në sajë të mësuesve që janë vënë në dispozicion. Krahas arsimtarëve që janë të trajnuar posaçërisht për këta nxënës, në  banesat e tyre, 2 herë në javë shkon dhe një psikolog.

“Në qoftë se në 2008-ën flisnim për rreth 62 fëmijë, në vitin që sapo lamë, vitin shkollor 2011-2012, bëhet fjalë për rreth 29 fëmijë. Këtë vit ndërkaq janë 35 të mitur, me mësim në shtëpi. Vetëm në Shkodër ka 26 mësues që ofrojnë mësim në këto vatra mësimore. Për këta nxënës janë të caktuar edhe psikologët shkollorë, të cilët mundohen që të paktën t’u ofrojnë dy këshillime në javë”, -thotë Vera Kamani, specialiste në MASH të R. sl Shqipërisë.

Udhëzimi i Ministrisë së Arsimit për vitin 2007, që flet për arsimimin e fëmijëve të ngujuar sqaron se këta nxënës nuk zhvillojnë të gjitha lëndët si fëmijët e tjerë, por vetëm ato më specifike, me karakter shoqëror e natyror. Viti mësimor ka jo më pak se 25 javë, ndërkohë që orët e mësimit janë rreth 45 minuta. Mësimi zhvillohet tre herë në javë. Sipas specialistëve të ministrisë së Arsimit, aktualisht Tirana është zhdukur nga lista e fëmijëve të ngujuar që vazhdojnë arsimin parauniversitar./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button