“Imuniteti i Veljanoskit”: Zekiri thotë se qeveria mundet edhe pa BDI-në, Xhaferi s’është pishman

Përplasjet mes dy partive më të mëdha qeverisëse në Maqedoni të Veriut, Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë (LSDM) dhe Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) kanë vazhduar edhe gjatë emisionit “Click Plus” në TV 21. Deputeti dhe nënkryetari i LSDM-së, Muhamed Zekiri ka deklaruar se qeveria mundet edhe pa BDI-në, kurse kryeparlamentari Talat Xhaferi s’është pishman që nuk iu hoq imuniteti deputetit Trajko Veljanoski, transmeton Portalb.mk.

Qeverisja pa BDI-në, sipas Zekirit do të diskutohet sot në mbledhjen e LSDM-së.

“Uroj që nesër ose ditëve në vijim do të mbahet mbledhja e partisë, në të cilën do të duhej të bisedohej për këtë temë. Numrat e bëjnë qeverinë. Sigurisht, derisa i kemi numrat për formimin e Qeverisë pa BDI-në, dhe kjo është opsion, pse jo”, tha Zekiri.

Mollë sherri i partive të koalicionit u bë hedhja në votim e heqjes së imunitetit të deputetit të VMRO-DPMNE-së, Trajko Veljanoskit pas mesnatës, kur edhe kaloi afati sipas Rregullores së Kuvendit. Për këtë nuk është bërë pishman kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.

“Unë në jetën time për asgjë nuk jam pishman. Unë respektoj procedurat, unë i di vendimet politike dhe nevojat politike. Puna e Parlamentit nuk është vendim politik dhe nevojë politike”, tha Xhaferi.

Ndaj kësaj sërish ka reaguar deputeti Zekiri, i cili tha: “Zoti Xhaferi shumë thirret në procedura, por prap nuk u përgjigj në pyetjet, dhe siç nuk u përgjigj edhe në konferencën për media që e pati, pse para orës 12 nuk e hodhi në votim konkluzionin për marrjen e imunitetit të deputetit Trajko Veljanoski? Këtë përgjigje ai ua ka borxh publikut në Maqedoni. Pikë. Kaq”, tha Zekiri.

Kryeparlamentari Talat Xhaferi refuzoi të japë sqarim se pse nuk e hodhi në votim heqjen e imunitetit para mesnate.

“Ajo është procedurë e gjatë, dhe nuk mund të komentohet me një thënie, me një fjali, paraqitje televizive. Është çështje e udhëheqjes së parlamentit dhe nuk është kompetencë e imja ekskluzive udhëheqja e parlamentit”, tha Xhaferi.

Përndryshe, dje kryetari Xhaferi në lidhje me ndërprerjen e seancës për heqjen e imunitetit të deputetit Veljanoski, fajin e ka hedhur te deputeti Zekiri, për shkak të sjelljes së tij.

Nga ana tjetër, LSDM-ja ka akuzuar se ndërprerja e seancës është kalkulim mes BDI-së dhe partisë opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE-së. Ngjashëm ka akuzuar edhe lideri i partisë opozitare shqiptare, Aleanca për Shqiptarët, Ziadin Sela.

LEXO: LSDM e bojkoton Xhaferin, Zekiri: BDI e shpëtoi Veljanovskin që edhe ai t’i shpëtojë ndonjëherë
LEXO: Xhaferi me zënka e kaloi afatin për votim dhe e ndërpreu seancën për marrjen e imunitetit të Veljanovskit
LEXO: Maqedoni, Komisioni amë nuk ia hoqi imunitetin deputetit Trajko Veljanoski
LEXO: Më së voni për tre ditë Kuvendi do të diskutojë imunitetin e Veljanovskit

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button