GRYKA

Në krye të katundit është gryka madhështore në të dy anët e së cilës ka gështenja pa fund. Përmbi, lart duket bjeshka ku edhe në fund të korrikut  ka pasur borë. Kur ngjiteshe malit përpjetë, poshtë shkëmbinjtë e lumit dukeshin të imët. Njëherësh dukej edhe Përshefca – një fshat dikur përrallor, kryengritës, krenar, tash i qetë, i heshtur. Në të djathtë të rrjedhës së lumit – fshati Tiharcë, në të majtë fshati tjetër – Klloxha. Poshtë e lartë, majtas e djathtas – dikur gjithandej ka pasur blerim, kurse dimrit dikur ngjyra e vetme ka qenë e bardha – sepse borë binte shumë. Borë, borë, borë… e cila “kujdesej” për të mbjellat vjeshtore.

Tash borë te gryka s’ka.  S’ka se në grykë kanë bërë hidrocentrale. Të cilat e kanë prishur klimën. Tash krejt peizazhin e ka mbuluar ngjyra e vrugët – zymtësi… E cila përhapet mbi fshatrat që kanë mbetur pa bukurinë e grykës, pa klimën e dikurshme dhe pa ujë të pijshëm. Veç kësaj, buzë lumit ka grumbuj mbeturinatsh…

Hidrocentralet e kanë prridhur muzikën e bukur të lumit dhe e erës së malit. As rrezet e diellit nuk depërtojnë poshtë që ta zbulojnë pastërtinë e dikurshme të lumit kristal, sepse smogu nga komunikacioni i dendur, nga industria dhe nga mbeturinat e djegura shtëllunga-shtëllunga ngjitet lartë kah bjeshka dhe e nxin edhe bardhësinë përrallore të bjeshkëve. E, thanat mitike, të cilat dikur trajtoheshin si të shenjta, njësoj siç  i kanë trajtuar paraardhësit tonë, sot duken si të pikëlluara. Manaferrat kur bëhen i mbulon pluhuri. Sa për kafshë të malit, kafshë nuk ka. I rralli mund të të thotë se ka parë ndonjë lepur, ndonjë ujk, ndonjë arushë, ndonjë dhi të egër, kaproll, a derr të egër.  Të rralla janë breshkat, ketrat, shqarthat…  Aty-këtu – thonë – ka ndonjë dhelpër.  Shqiponjat që dikur silleshin me krenari mbi hapësirën qiellore të fshatit, sot i marrin si figura mitologjike. Nuk ka as grifça, gushëkuqë, mëllenja, bishtatundës  rreth grykës, ndërkaq në fushë nuk sheh dot bilbila, thëllëza, turtulla. Huti, ky simbol i urtisë dikur – është zhdukur përgjithmonë. Janë zhdukur edhe xixëllonjat, fluturat dhe kandrrat tjera. Nga e gjithë kjo kanë mbetur hidrocentralet.

Dalëngadalë po ikin edhe të rinjtë. Kur kalon pranë grykës nuk sheh barinj me dhen a me tufa të tjera kafshësh të shkojnë në bjeshkë a të kthehen së andejmi. Nuk ka as druvarë që dikur shkonin me kuaj në ahishta e bënin dru. Ndalesh mbi një restorant që e kanë bërë te suka pranë grykës dhe e ndjen se si qetësinë e prishin troket e kuajve, që të vijnë aq qartas nga kujtimet. Pastaj zëri i këngës së bariut që i këndon të dashurës të cilën ia kanë fejuar për një tjetër. Kërcet diçka dhe të largon nga kujtimet. Shikon poshtë, shtrati i lumit- i thatë. Nostalgjia e rëndë të rëndon mbi kokë. Përsëri kujtimet. Përsëri zëre njerëzish nga kujtimet. Zëre fëmijësh që dikur laheshin në lumin kristal. Gumëzhijnë. Pastaj të nxjerr si me dhunë nga kujtimet një kalimtar që del thuajse prej tymit të dendur nga zgara e restorantit:

  • Hë, ore mik, e paske humbur rrugën, a? Kah po ia mban kështu?
  • Po mundohem ta kthej kohën e humbur.
  • A kohën e kuqe, a? më thotë si me shaka.
  • Jo – i përgjigjem. – Kohën e fëmijërisë sime. E kërkoj grykën… Blerimin… Gurgullimën e lumit kristal… I kërkoj zëret që i kam lënë këtu me shokët derisa laheshim në ujët e kulluar të lumit e që janë këtu diku, mbi shkëmbinj, në breg të lumit… Fjalët shqipe me ngjyrimet karaktiristike të Përshefcës…
  • Ha-ha-ha! – qesh me ironi kalimtari. – Nuk i gjen dot! – thotë. – Të gjitha kanë mbetur nën hidrocentral!

Pastaj nis të shpërndahet me shpejtësi një mjegull. Prej saj dalin dy burra me sako prej lëkure dhe me çizme. Kalojnë pranë nesh duke folur mes vetes, pa na përshëndetur.

  • Janë pronarët e hidrocentraleve, – më thotë kalimtari. – Mirë është të largohemi së këtejmi.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button