Barcelona në Vlorë për 100-vjetorin?

Një lajm që pritet të ngjallë shumë reagime, dhe pse jo nostalgji tek tifozët shqiptarë. Në kuadrin e 100-vjetorit, nga qyteti i Flamurit, Vlora, duket të vijë një dhuratë e madhe për sportëdashësit vlonjat dhe të të gjithë Shqipërisë. 

Të mërkurën në mesditë përfaqësues të klubit të Barcelonës, kanë vëzhguar ambientet e stadiumit Flamurtari. Ky stadium është rikonstruktuar dhe në këtë sezon do të ketë mundësinë të zhvillojë edhe ndeshje në mbrëmje nën ndriçimin e prozhektorëve. 

Inspektimi i zyrtarëve të klubit katalanas duket se ka të bëjë me një ndeshje miqësore që për momentin duket ende si pjesë e imagjinatës, ajo mes vendasve të Flamurtarit dhe Barcelonës së madhe. 

Duket se ata pas vizitës i kanë konsideruar ambientet e brendshme të stadiumit si normale për akomodimin, për 90 minuta, të  një prej klubeve më të mëdha europiane dhe më spektakolare të momentit si Barcelona e Lionel Mesit. 

Ngjan si një ëndërr, por në këto momente përfaqësuesit e Barcelonës janë në një takim me kryetarin e Bashkisë së Vlorës dhe njëkohësisht presidentin e Flamurtarit, Shpëtim Gjika, ku po diskutohet rreth mundësisë së zhvillimi të kësaj ndeshjeje historike. 

Shpresat në ambientin vlonjat janë shumë të mëdha që një gjë e tillë të realizohet, megjithatë, ende nuk ka një konfirmim zyrtar. Nëse vërtetë ndodh realizimi i një ndeshjeje të tille, ajo do të realizohet brenda muajit nëntor, në kuadër të festimeve të 100-vjetorit tonë të Pavarësisë, në qytetin e Pavarësisë.

Lajme të ngjashme

Back to top button