Të gjitha popullsitë e Ballkanit kanë paraardhës të përbashkët me shqiptarët

Dy profesorë të Universitetit të Kalifornisë, Peter Ralph dhe Graham Coop kanë botuar një studim për Gjeografinë Aktuale Gjenetike të Paraardhësve në të gjithë Evropën. Ky studim ka shfrytëzuar një bazë të dhënash të quajtur POPRES që ka marrë të dhënat gjenetike të 2,237 europianëve. Të dhënat e tyre gjenetike janë përdorur për të verifikuar trashëgiminë gjenealogjike të banorëve të Evropës deri në 3 mijë vjet më parë.

Pjesë e këtij studimi ishin dhe të dhënat gjenetike të 9 shqiptarëve nga Shqipëria dhe 14 shqiptarëve nga Kosova. (23 shqiptarët në fjalë janë me banim në Londër dhe Lozanë).
Ky studim mundëson shumë diskutime, megjithatë rezultatet nga tabela në faqen 37 (ndiqni linkun në fund të shënimit) tregojnë që shqiptarët janë kombi më homogjen në Evropë dhe që të gjitha popullsitë e Ballkanit kanë paraardhës të përbashkët me shqiptaret që datojnë më shumë se 2 mijë vjet përpara edhe përpara dyndjeve sllave në këto rajone.

Në faqen 15 të studimit (Kush janë shqiptarët) thuhet se shqiptarët modernë mund të jenë pasardhës të njerëzve që kanë banuar në pjesën lindore të Adriatikut dhe në Salenton e sotme (Itali) gjatë periudhës romake.

Më poshtë është pak nga pjesa ku përmenden shqiptarët:

“Niveli më i lartë i Prejardhjes së Përbashkët të Identitetit gjendet tek individët që flasin gjuhën shqipe, që kanë një rritje të prejardhjes së përbashkët që vjen që nga 1,500 vjet më parë. Kjo sugjeron që një pjesë e rëndësishme e pararendësve të shqiptarëve moderne kanë qenë nga një grup relativisht koherent dhe i mbledhur popullsie që ka qenë i qëndrueshëm për të paktën 1,500 vitet e fundit…”

Ky botim shkencor me autorë amerikanë i korrikut 2012 mund të konsultohet në:

The geography of recent genetic ancestry across Europe
(University of California at Davis, USA)

http://arxiv.org/pdf/1207.3815v1.pdf 

/Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button