RDK kundër Ligjit për branitellat, me Propozim Ligj për ushtarët e UÇK-së?

Ligji i propozuar nga VMRO DPMNE me atë të së cilit përjashtohen ish ushtarët e UÇK-së në frymë dhe germë, është në kundërshtim të plotë me frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe, për më tepër, promovon pabarazinë mes qytetarëve duke i ndarë ata në “mbrojtës” dhe “terroristë”. Kështu shprehet partia e Rufi Osmanit në reagimin e tyre për shtyp.

“Propozim ligji për të drejtat e veçanta të pjesëtarëve të forcave të sigurisë të Republikës së Maqedonisë  dhe familjeve të tyre, i futur në procedurë parlamentare me propozim të grupit të deputetëve të VMRO-DPMNE, edhe një herë nxjerr në pah politikën populiste dhe në thelb antishqiptare të qeverisë së Republikës së Maqedonisë” – thuhet në reagimin e RDK-së.

RDK vlerëson se është bërë keqinterpretim i nenit 36 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, nen në të cilin thirren propozuesit e ligjit.

“Edhe pse propozimi për miratimin e këtij ligji bazohet në nenin 36 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, RDK vlerëson se iniciatorët kanë bërë një interpretim të gabuar dhe plotësisht oportun të këtij neni, pasi në asnjë rast “branitellat” nuk kanë bërë “luftë nacional – çlirimtare”. Për më tepër, ky ligj vjen si propozim në një kohë kur në radhët e qeverisë së Republikës së Maqedonisë janë shpeshtuar deklaratat me konotacion përçmues dhe ofendues ndaj shqiptarëve, veprime plotësisht të dënueshme për një qeveri multietnike të një shteti multi-etnik. Qëndrimet e fundit të kryeministrit Nikolla Gruevski gjatë festimeve të 20 vjetorit të ARM-së, vlerësimet për konfliktin e vitit 2001, të sjella në fjalorin e vitit 2012, s’do mend se janë hapa prapa në përpjekjet për ndërtimin e Maqedonisë si një shtet modern me harmoni ndëretnike dhe vlera perëndimore” – thonë nga RDK.

Rilindja Demokratike Kombëtare përmes këtij reagimi ka thirrur BDI-në të qartësojë qëndrimin e saj lidhur me këtë çështje. Kujtojmë se Bashkimi Demokratik për Integrim sot u kërcënua se nëse miratohet ky ligj do të shpërbëhet Qeveria.

Propozim Ligji për të drejta të veçanta të pjesëtarëve të forcave të sigurisë ende nuk ka hyrë në procedurë parlamentare. Ai i është dorëzuar kryetarit të Kuvendit, i cili sot nuk e ka futur në procedurë. Nga ana tjetër, Portalb mëson se RDK ka të përgatitur Propozim Ligj të veçantë për të drejtat e familjeve të dëshmorëve, invalidëve të luftës dhe familjet e civilëve të dëmtuar në konfliktin e 2001. RDK do të dorëzon në procedurë parlamentare këtë ligj, nëse futet Ligji i VMRO-së. Burime nga kjo parti thonë se do të propozojnë deputetët e BDI-së të përkrahin këtë propozim ligj të RDK-së./Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button