Edhe 11 milionë euro për “Shkupi 2014”

Derdhja e parave të popullit për projektin kontroverz “Shkupi 2014” nuk ka të ndalur. Më shumë se 11 milionë euro do ta kushtojë Komunën Qendër garazha në kate e cila po ndërtohet në afërsi të Ndërtesës së Gjykatës, përgatitja e sheshit Kryengritja e Karposhit si dhe të kolonadës “Maqedonia e pavarur”, e cila po ndërtohet buzë lumit Vardar, objekte këto të cilat janë pjesë e projektit “Shkupi 2014”.

Biroja për furnizime publike të premten i publikoi detajet e tre marrëveshjeve të cilat janë të nënshkruara nga ana e kompanisë për ndërtimtari  “Beton”.

E njëjta kompani po bën edhe ndërtimin e postamenteve për përmendoret e krijuesve shqiptarë Pjetër Bogdani, Josif Bageri dhe Nexhat Agolli, si dhe postamentet për monumentet e Pjetër Gurit dhe Dimitar Pop-Georgievskit. Sipas të dhënave të cilat gjithashtu i publikoi Biroja për furnizime publike, postamentet do të kushtojnë 220.000 euro, ndërsa vetë përmendoret rreth 350.000 euro.

Kjo komunë njofton se ka shpenzuar rreth 325.000 euro për ndriçimin e përmendoreve, ndërsa sipas informatave më të reja, ka të holla edhe për skulptura të reja.

Ndërsa nga ana tjetër, qytetarët dita-ditës shprehen të pakënaqur me vendosjen e përmendoreve kudo në Shkup. Në anketën e bërë në ueb faqen e REL, në pyetjen se a e ka tepruar Qeveria me ndërtimin e përmendoreve, mbi 81 për qind e qytetarëve janë përgjigjur pozitivisht, ndërsa vetëm 15 për qind mendojnë se nuk është tepruar. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button